Mesazhi nga çadra: Qeveri teknike dhe dialog

30/03/2017 00:00

Në ditën e 41-të të protestës, në çadrën e opozitës u dhanë dy mesazhe. I pari ishte ai i vendosmërisë për të mos u tërhequr.

“Dhe kush sheh endrra, kush mendon se ne tërhiqemi, e ka gabim. Këtu derisa të realizohet i vetmi kusht: qeveria teknike, e cila do të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka.

Mesazhi i dytë ishte i ri. Në çadrën e opozitës u dëgjua për herë të parë fjala “dialog”.

“Dialog po, sigurisht! Nuk jemi kundër dialogut, por koha kur Rama mund të vendoste, e kishte mundësinë, të ulej në tavolinë me ne për t’ju dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme, ka kaluar”, shtoi Paloka.

Të dy këto mesazhe i përdori sipas mënyrës së tij ish-Kryeministri Berisha, kur i kujtoi Kryeministrit Rama se përpara zyrës së tij mund të mblidhen menjëherë qindra-mijëra protestues.

“Merri këto ditë pra si ditë mëshire që ti nuk e meriton. Të them si ditë mëshire se duhet ta kesh të qartë se fundi yt është ose burgu, ose fataliteti, rrugë tjetër nuk ke!”, tha Berisha.

Top Channel