Maltë, Basha takohet me kreun e EUROPOL-it

30/03/2017 00:00

Në Maltë, ku vijojnë punimet e samitit të PPE-së, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me drejtorin e “EUROPOL”-it, Rob Wainright, me të cilin ka ndarë shqetësimin e thellë për prodhimin dhe trafikimin tronditës të marijuanës në Shqipëri, kthimin e vendit në portë tranziti të heroinës, si dhe vend kryesor për pastrimin e parave.

Të gjitha këto fenomene janë theksuar në raportin e fundit të “EUROPOL”-it, thuhet në komunikatën e PD-së.

Kreu i opozitës shqiptare e njohu drejtuesin e lartë me planin e Partisë Demokratike për të luftuar krimin e organizuar dhe trafiqet e paligjshme, për të ndaluar prodhimin dhe trafikimin e drogës, si dhe diskutoi për mundësinë e vendosjes së protokollit për bashkëpunim të shpejtë në lidhje me verifikimin e shenjave të gishtërinjve, me qëllim zbatimin efikas të ligjit të dekriminalizimit. Shtuar këtu edhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe trafikantëve të drogës.

Nga ana e tij, Wainright ka ofruar mbështetjen e tij për këtë projekt, si dhe për hetimin dhe gjurmimin e aseteve të krimit të organizuar dhe pasurive të fshehura të zyrtarëve të lartë, të përfituara nga trafiqet dhe korrupsioni.

Basha e ka falënderuar drejtorin e këtij institucioni për bashkëpunimin e shkëlqyer, që çoi në liberalizimin e vizave me Europën në fund të vitit 2010, gjë që mundësoi lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën “Schengen”.

Wainright ishte i pranishëm në Maltë, ku “EUROPOL”-i mori çmim për merita në luftën ndaj krimit.

Top Channel