Gjiknuri: Kërkesat e PD, antikushtetuese

30/03/2017 00:00

Drejtuesi politik i Partisë Socialiste për Qarkun e Vlorës, njëkohësisht ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me të rinjtë e këtij qarku që studiojnë në Tiranë.

“Vlora ka shumë arsye për të votuar Partinë Socialiste në mënyrë masive në zgjedhjet e 18 Qershorit. Ajo që po ndodh në Vlorë është një ndryshim epokal sepse vlonjatët e kanë ëndërruar. E kanë shkruar historinë me gjak dhe janë nga zonat që kanë qenë realisht jashtë vëmendjes së qeverive. Ajo çka po ndodh në Vlorë këto 4 vitet e fundit është transformuese por mbi të gjitha i jep shpresë të rinjve vlonjat”, u shpreh Gjiknuri.

Në vlerësimin e tij, Vlora ka një përspektivë të mrekullueshme falë investimeve të qeverisë së Kryeministrit Edi Rama. “Kemi nxjerrë synimin tonë që ta bëjmë Vlorën qytetin e dytë më të rëndësishëm të Shqipërisë. Ajo duhet të jetë kryeqendra e dytë e Shqipërisë pasi i ka të gjitha mundësitë. Duhet që të gjithë bashkëmoshatarëve tuaj tua shpjegoni se çfarë po bën qeveria në Vlorë. Duhet t’i merrni ata dhe të votoni për Partinë Socialiste sepse duhet ta garantojmë këtë rrugë zhvillimi e të mos e lëmë në mes”, nënvizoi Gjiknuri.

Të gjitha këto, vijoi koordinatori politik i Qarkut të Vlorës, do të viheshin në pikëpyetje nëse vendi do të merrte një rrugë tjetër. Sipas tij, ka njerëz në Shqipëri, që pavarësisht se nuk reflektojnë shpirtin popullor, apo shumicën e asaj që ndjejnë shqiptarët, duan ta frenojnë këtë zhvillim duke krijuar kriza artificiale. “Siç është futur opozita në çadër dhe kërkon atë që është absurde: ik ti që të vi unë, dua të bëj qeveri teknike se nuk i fitoj dot zgjedhjet. Jo, kjo është antikushtetuese. Zgjedhjet janë pronë e popullit dhe nuk janë pronë e partive. Partia Socialiste, pavarësisht se çfarë do të bëjë opozita, ka detyrën ligjore dhe detyrimin kushtetues që të hyjë në zgjedhje dhe të kërkojë mbështetjen e shqiptarëve. Kështu na ka mandatuar populli dhe është ai që gjykon. Nuk gjykojnë një apo dy individë që shikojnë shanset e tyre të marxhinalizuara për të marrë peng një vend të tërë duke thënë nuk do hyjmë në zgjedhje. Ne do shkojmë drejt zgjedhjeve për të përmbushur detyrimin kushtetues dhe për të mos e lënë në mes të rrugës ëndrrën e shqiptarëve, ëndrrën e vlonjatëve, e cila nëse vendi do të hynte në një rrugë tjetër të pashkelur do të vihej në rrezik”, u shpreh Gjiknuri.

Top Channel