Trafikantët e refugjatëve, mbyllet hetimi për “agjencinë”

29/03/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim nëntë persona të cilët akuzohen se janë pjesë e një rrjeti trafikantësh që mundësonin kalimin e paligjshëm të kufirit të klandestinëve që vijnë nga vendet në konflikt dhe kanë si destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Prokurorët thonë se të akuzuarit duhet të gjykohen për veprat “grup të strukuruar kriminal”, “kryerje të veprimeve në kuadër të organizatës kriminale” dhe “ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”.

Sipas prokurorisë, të gjithë personat kanë pasur role të ndara në grup, që nga transporti i klandestinëve deri në strehimin e tyre të përkohshëm në Elbasan dhe Devoll. Klandestinët, të identifikuar, vinin nga Siria, Irani dhe Afganistani.

Pasi kishin kaluar në këmbë kufirin e gjelbër me Greqinë, ata priteshin nga trafikantët Shqiptarë. Disa prej tyre i dorëzonin ata në kufi me Kosovën, ku për shoqërimin e tyre duhet të paguanin shtesë një tarifë prej 350 euro.

Siç rezulton nga hetimet, destinacioni i klandestinëve ishte Gjermania ose Austria. Të akuzuarit janë pjesë e një grupi i cili dyshohet të ketë trafikuar gati 100 persona, ndërkohë që operacioni më i fundit i autoriteteve zbuloi 27 klandestinë që duhet të ndiqnin të njëjtën linjë.

12 nga klandestinët ishin të mitur. Nga marrja në pyetje e këtyre shtetasve ka rezultuar se trafikantët u merrnin një tarifë prej 1.200 eurosh për person.

Më herët, Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë një grup tjetër trafikantësh që kishte si anëtar edhe një shtetas afgan, i ardhur në Shqipëri për të njëjtin qëllim, atë të dhënies së ndihmës për kalimin e paligjshëm të kufirit.

Të dënuarit janë: Ilirian Miza, Jani Shabani, Erigenti Bezo, Julian Shaholli, Leonard Jaçellari, Arsen Çekiçi, Vasil Koburja, Genci Jazxhi dhe Elton Kupe.

Top Channel