Lëvizja Socialiste për Integrim është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit.

Kreu i Grupit Parlamentar, Luan Rama tha se LSI nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kavajës, ndërsa zgjedhjet atje janë të pjesshme dhe nuk nevojitet regjistrimi i partive, por vetëm kandidatëve.

“Duke qenë se është jashtë fokusit të situatës dhe meqë zgjedhja e kandidaturës është bërë në mënyrë të njëanshme, mbetet çështje e PS dhe LSI nuk ka pse të implikohet. Është absurde që në 2017 një vend i NATO të zhvillojë zgjedhje pa opozitën”, tha Luan Rama.

Kjo ishte deklarata e kreut të Grupit Parlamentar të LSI-së, e komentuar si refuzim i kesaj partie për t’u regjistruar për zgjedhjet e Kavajës.

E vërteta qëndron në faktin se për zgjedhjet e pjesshme nuk është kërkesë regjistrimi i partive, por vetëm i kandidatëve.

LSI as në zgjedhjet e Kolonjës, apo të Dibrës nuk është regjistruar.

Luan Rama deklaratën e bënte pothuajse në momentin kur LSI po regjistrohej për të marrë pjesë në zgjedhjet e përgjithshme të 18 qershorit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e pranoi kërkesën e LSI-së, por edhe të disa partive të tjera të cilat u deklaruan se do marrin pjesë në zgjedhje.

KQZ ndërkohë ka në rendin e ditës edhe vendimin për emërimin e 90 komisionerëve rezervë që do të zëvendësojnë komisionerët e opozites, nëse kjo e fundit bojkoton zgjedhjet e 18 qershorit.

“Zgjedhje në datë 7 maj në Kavajë dhe në datë 18 qershor në gjithë Shqipërinë do të ketë, që në çdo rrethanë më të mirat të mundshme nuk do të jenë deri në këtë moment, sepse zgjedhje pa opozitën…por zgjedhje do të ketë sepse cikli demokratik në vend duhet të vazhdojë dhe nuk mund të ketë kthim pas”, tha kreu i KQZ-së, Denar Biba.

Top Channel