Izraeliti i përgjimeve, prokurorët kërkojnë t’i bllokohet pasaporta

28/03/2017 00:00

Prokurorët i kërkojnë gjykatës të vendosë masën e sigurimit “bllokim pasaporte” për shtetasin izraelit Yoram Frig, i cili është nën hetim sipas kodit penal për keqpërdorim të pajisjeve.

Argumenti kryesor i organit të akuzës është kryerja e veprimeve hetimore të domosdoshme në pajisjen “Oscor Emni Spectral Corelator”, e cila ju konstatua 51-vjeçarit teksa po largohej nga Tirana përmes Rinasit.

Ky qëndrim i Prokurorisë do të thotë se,  izraeliti i njohur në vendin e  tij si detektiv privat, e ka të ndaluar të dalë nga Shqipëria derisa të sqarohen pozitat e tij. Megjithëse Frig insiston se pajisja përdoret për detektimin e përgjuesve, prokurorët shohin të domosdoshme ekspertizën e specialistëve të fushës për të provuar se për çfarë është përdorur kjo aparaturë.

Frig ka deklaruar se kishte ardhur katër herë në Shqipëri dhe se fundmi me kërkesë të një politikani që është edhe biznesmen, i cili ka dashur të mësojë nëse po përdorej kundër tij ndonjë formë përgjimi ambiental.

Prokurorët e Tiranës po verifikojnë gjithashtu nëse për një aparaturë të tillë a nevojitet leje nga autoritetet doganore, përsa kohë gjatë hyrjes në Shqipëri Frig nuk e ka lëshuar një deklarim për posedimin e saj.

Top Channel