Grabitjet e shtëpive, në Tiranë 6 banesa në ditë

28/03/2017 00:00

Vjedhjet e banesave janë kthyer në një problem shqetësues për policinë e Tiranës. Mesatarisht në kryeqytet në një ditë hajdutët bastisin 6 banesa, ku përveç parave që mund të gjejnë vjedhin edhe sende të çmuara ose orendi shtëpiake.

Mbrëmjen e së hënës komisariati numër 1 goditi një grup që operonte në periferi të Tiranës. Banda bastiste gjatë natës lokalet në zonën e fshatit Lundër, ku vidhte televizorët dhe pijet e kushtueshme.

Tre persona u vunë në pranga. Grupi kishte edhe një bashkëpunëtore femër, e cila është proceduar në gjendje të lirë. Sipas policisë, 19-vjeçarja mbante në banesë sendet e vjedhura.

Kamuflimet e hajdutëve janë nga më të ndryshmet. Ata shtiren si shpërndarës fletushkash për të parë nëse në banesë ka njeri, ndërsa në disa raste është konstatuar edhe përdorimi i çelësave të modifikuar.

Por përveç vjedhjes së banesave, lokaleve apo mjediseve të tjera, një trend në rritje është edhe krimi i rrugës. Shqetësuese mbeten denoncimet për vjedhjet e pjesëve të automjeteve, ose telefonëve celularë gjatë orëve të mbrëmjes, kur preja e preferuar e hajdutëve janë femrat.

Zonat më “të nxehta” sa i përket vjedhjeve të banesave konsiderohen Tirana e Re, 21 Dhjetori, ish-Parku dhe ish-Blloku, kjo për shkak të lëvizjeve të qytetarëve dhe grumbullimit të vazhdueshëm gjatë fundjavave dhe në ditë festash.

Top Channel