Bushati: Basha në PPE baltosi atdheun

28/03/2017 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka reaguar ndaj deklaratës së Lulzim Bashës në PPE, duke thënë se kreu i opozitës theu sërish një rregull të pashkruar por elementar të jetës publike: në gjuhë të huaj dhe jashtë shtetit nuk hidhet baltë për atdheun!

“Aq më tepër kur dihet se partitë serioze europiane nuk impresionohen nga shpifjet apo çadrat e mëkatarëve, sepse masin ecurinë reale të reformave përmes raporteve të institucioneve ndërkombëtare”, ka thënë Bushati në profilin e tij në Facebook.

Bushati nënvizon se, raporti i fundit i Komisionit Europian, i mbështetur unanimisht nga vendet anëtare, i dha Shqipërisë rekomandimin për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin në BE.

“Asnjë fjalë nuk i tha Lulzim Basha Partive Popullore në Maltë për reformën në drejtësi, anipse të gjithë kemi lexuar qëndrimin e bashkërenduar e të qartë të SHBA-ve, BE-së e madje të partive simotra europiane për PD-në: 1. zbatim të menjëhershëm të ligjit të vettingut; 2. rikthim në Kuvend; 3. përmbyllje të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet e OSBE-ODIHR-it”, ka thënë Bushati.

Sipas tij, ky do të ishte kontributi për një Shqipëri që shkon në mënyrë të sigurt drejt tryezës së bisedimeve për anëtarësim në BE, “që do të thotë më shumë siguri, mirëqenie dhe progres për shqiptarët”.

“Keqardhje për një parti që veç emrin ka demokratike, por që nuk ka më ambicie të konkurrojë në mënyrë demokratike”, është shprehur më tej Bushati.

Top Channel