Xhafaj: Policët, larg zgjedhjeve

27/03/2017 00:00

Gjatë një takimi me krerët e Policisë së Shtetit, ministri i ri i Punëve të Brendshme, Fatmir Xhafaj, foli për sigurinë e zgjedhjeve. Ai tha se do të jenë të lira, ndërsa paralajmëroi penalizim për policët që përfshihen në proces.

“Edhe pak muaj na ndajnë nga mbajtja e zgjedhjeve parlamentare të 18 Qershorit. Prioritet tjetër kryesor i punës sime si ministër i Brendshëm do të jetë që çdo veprimtari që do të zhvillohet në kuadër të procesit zgjedhor dhe parazgjedhor, të jetë një veprimtari në shërbim të përkryer të zhvillimit të zgjedhjeve, në respektim të afateve dhe procedurave të parashikuara nga ligji. Ajo që pritet nga të gjithë faktorët ndërkombëtarë dhe vendas, është paanësia e kryerjes së veprimtarisë së Ministrisë në këtë proces, për aq sa asaj i njeh përgjegjësi ligji. Kjo do të jetë kryefjala jonë. Do të ndëshkohet rëndë çdo përfshirje apo çdo rol tjetër i policisë që tejkalon kompetencat e përcaktuara nga ligji. Zgjedhjet janë të qytetarëve dhe policia i përket qytetarëve, ndaj nuk do të lejojmë që policia të ndikojë në këtë proces të shenjtë. Aspirata jonë është zgjedhje të lira e të ndershme”, tha Xhafaj.

Top Channel