Shtyhet gjyqi ndaj gjyqtares Majlinda Andrea

27/03/2017 11:30

Është shtyrë gjyqi ndaj gjyqtares së pezulluar Majlinda Andrea për shkak të mungesës së të pandehurës Eleni Lino.

Në Gjykatën e Lartë ishte parashikuar që prokuroria të jepte sentencën për të pandehurit.

Në fund të muajit shkurt, një oficer i policisë gjyqësore tek Krimet e Rënda, emri i të cilit është përmendur vazhdimisht nga avokati i gjyqtares Majlinda Andrea, dëshmoi në procesin kundër saj.

Oficeri i Krimeve të Rënda, Petrit Gjecaj u pyet nga gjyqtarët por edhe nga pala mbrojtëse se ku e kishte gjetur informacionin për aferën e korrupsionit që zbuloi më pas 5 të dyshuar, mes tyre edhe gjyqtaren Andrea me bashkëshortin.

“Nuk e tregoj burimin. Informacioni për këtë aferë rezultoi i vërtetë”, tha dëshmitari. Oficeri i tha gjykatësve se kishte informacion fillestar për këtë aferë, ku përfliten si të përfshirë 3 gjyqtarë, 1 zyrtar i lartë dhe 3 avokatë, por hetimet dhe përgjimet e mëpasshme nuk mblodhën prova që do t’i inkriminonin ata.

Të dhënat implikuan vetëm gjyqtaren e Lartë, Majlinda Andrea, e cila akuzohet se ka kryer korrupsion, ndërsa dyshohet se është paguar përmes bashkëshortit nga të dyshuarit e tjerë, për dhënien e një vendimi civil në Butrint.

Top Channel