Basha: Kemi mbështetje totale nga Uashingtoni

27/03/2017 12:15

Partitë e koalicionit opozitar rikonfirmuan qëndrimin unanim për të mos paraqitur kërkesën e regjistrimit si subjekte zgjedhore deri në arritjen e një marrëveshjeje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.

Që opozita nuk ka ndryshuar asgjë nga qëndrimi i saj në ditën e 38-të të protestës, kjo u duk qartë nga deklarata e kreut të demokratëve, Lulzim Basha.

“Kjo rrugë mund dhe do të kalojë vetëm përmes një shtegu: zgjedhjeve të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën Kryeministër, me një qeveri teknike, zgjedhje të standardit europian”, tha Basha.

Por deri kur do ta presë opozita krijimin e një qeverie teknike, kur kanë mbetur më pak se 3 muaj nga zgjedhjet? Top Channel mësoi se në takimin me kryetarët e degëve të Partisë Demorkatike, Lulzim Basha ka folur për mundësinë e vendosjes së një afati për largimin e Edi Ramës, ose siç e ka quajtur ai, një vijë e kuqe për të shmangur surprizën e një largimi taktik të Kryeministrit pak para zgjedhjeve, kur Qeveria teknike të mos ketë më kohë të sigurojë kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.

Lulzim Basha, i sapokthyer nga Uashingtoni, kishte një qëndrim të kundërt me deklaratën e zëdhënësit të Ambasadës Amerikane, sipas të cilit administrata Trump nuk mbështet protestën si shfajësim për të bllokuar zgjedhjet dhe për të vonuar reformën në drejtësi.

“Ingranazheve të narkomafies shqiptare në Qeveri, në media dhe në lobingjet ndërkombëtare dua t’u jap sot një mesazh të qartë: Për këtë betejë, për këtë kauzë, kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzën e largimit të krimit nga politika, kauzën e luftës pa kompromis kundër drogës, ky shesh, kjo agorë, Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe gjithë shqiptarët e ndershëm, Po e kanë marrë  mbështetjen totale në Uashington!”, deklaroi Basha.

Kreu i opozitës kishte edhe një mesazh për ata që fajësojnë opozitën për vonesën e zbatimit të reformës në drejtësi.

“Ata që na duan të mirën dhe ata që paguhen me paratë e korruptuara dhe të pista të drogës, ta dinë se drejtësi në duart e Edi Ramës nuk ka për të patur kurrë”, u shpreh ai.
 
Lulzim Basha u duk i vendosur, pavarësisht se ai e di se jo të gjithë miqtë e mbështesin.

“Ndaj me dashamirësi dhe mirënjohje ndaj miqve që na mbështesin pa kushte, me mirëkuptim dhe durim ndaj miqve që kanë akoma nevojë të sqarohen e të kuptojnë surratin e vërtetë të mafias shqiptare dhe pa asnjë milimetër tërheqje para çdokujt që ka vendosur para interesave të shqiptarëve interesin e xhepit të vet, ju them që; nuk ka e nuk do të ketë asnjë tërheqje”, deklaroi ai.

Top Channel