Top Story, kush mund ta zgjidhë krizën politike?

23/03/2017 00:00

Situata politike e krijuar pas nisjes së protestës dhe bojkotit të opozitës, po i afrohet 40 ditëve. Ndryshimet në Qeveri, që kaluan pa ndonjë problem të madh në Parlament, më përjashtim të ndonjë loje me porta të vogla të PDIU-së, gjithsesi nuk po sjellin ndonjë zgjidhje të madhe.

Protesta vazhdon dhe thirrjet nga çadra po bëhen edhe më të ashpra. Sali Berisha e bëri këtë një ditë më parë dhe sot, ndërsa përfaqësues të lartë të opozitës dhe të mazhorancës ndodhen në Uashington në përpjekje të dëshpëruara për të marrë një sinjal për të gjetur një zgjidhje për këtë situatë, një situatë që shumë veta thonë se drejtim mund t’i japë vetëm një njeri dhe ai është Ilir Meta.
 
Për këtë u fol këtë të enjte në Top Story me analistët Mustafa Nano, Arjan Vasjari, Skënder Minxhozi, Alfred Lela, Agron Gjekmarkaj dhe Eduard Zaloshnja.

I pari që e mori fjalën ishte Mustafa Nano.

“Këto vizitat që po bëjnë në Uashington më duken më shumë si vizita për të qarë hallin. Për mua zgjidhja duhet të gjendet këtu, zgjidhja është këtu. Ilir Meta është një faktor që mund t’i japë një zgjidhje”, deklaroi ai.

Nano thotë se Meta ka gjithë të drejtën të vendosë.

“Por mua nuk po më pëlqen fakti që ai nuk po vendos. Ka një konflikt të madh në Tiranë mes opozitës dhe Qeverisë dhe në këtë konflikt LSI-ja nuk ka mbajtur qëndrim. Unë s’e besoj atë legjendën urbane që thotë se opozita e ka ngritur atë çadrën aty pasi ka marrë miratimin e LSI-së. Ka shumë njerëz që e besojnë këtë gjë”, shtoi ai.

Nano parashikon fundin e krizës.

“Unë besoj se me mungesën më të madhe të dëshirës, në fund fare Ilir Meta do të qëndrojë aty ku është, sepse koalicioni PD-LSI, një koalicion i rinovuar e shoh shumë të vështirë, por jo për PD, por për LSI-në”, deklaroi ai.

Nano thotë se nga protesta e opozitës, Ilir Meta është i kënaqur dhe këtë protestë e ka shfrytëzuar kundër Ramës. Kështu ai lexon edhe ndryshimet në Qeveri, të cilat sipas tij, kanë kënaqur Ilir Metën, sidomos largimi i Saimir Tahirit.

Përfshirjen e Ilir Metës në ngritjen e çadrës së protestës së opozitës, Vasjari e përjashton, por thotë se nga kjo krizë, kreu i LSI-së po përfiton. Ai thotë se Metës nuk i intereson zgjidhja e krizës dhe dha për këtë edhe tre arsye.

“Ilir Meta nuk është i interesuar që ta zgjidhë këtë krizë, nuk do që ta zgjidhë këtë krizë për tre arsye. Nuk ka sens politike që Ilir Meta, pjesëtar i së majtës, të fusë në krizë të majtën. Arsyeja e dytë është që Ilir Meta e ka krijuar një precedent, iku nga Qeveria që binte aritmetikisht dhe megjithatë nuk ra dhe e treta është Ilir Meta nuk do të kishte asnjë interes që të shkruhej në historinë e së majtës si një bashkëkryetar i një qeveri që e çon atë drejt falimentimit dhe një përplasje me kahun tjetër politik, rezultatin e të cilit nuk jemi në gjendje ta themi sot. Pra, nëse sot jemi të sigurtë që PS-LSI ka shumë gjasa që të fitojë një aleancë tjetër, përplasja PS, blloku  djathtë është e paqartë”, u shpreh Vasjari.

Meta, shton Vasjari ka nisur fushatën elektorale dhe po mëson sesa e fuqishmë është LSI në terren, ndërsa shton se ka parë një pasiguri të lehtë së fundmi të Kryeministrit Rama në lidhje me të ardhmen e koalicionit.

“Ajo dhjeta emblematike që Rama bëri në këtë studio një javë më parë, m’u duke më pak se nëntë tek Eni Vasili. Ishte një tërheqje gati-gati në shumë vektorë të saj”, u shpreh ai.

“Situata është e paqartë, por Ilir Meta nuk do që ta zgjidhë këtë krizë, nuk do ta marrë ai barrën e zgjidhjes së një krize që automatikisht do të nënkuptonte që PS të futej në zgjedhje e vetme, ose me PDIU dhe do të shkonte në një përplasje elektorale që do të kishte shumë paqartësi se kush do të ishte fituesi”, vijoi Vasjari.

Skënder Minxhozi shfaqi një tjetër mendim nga Nano e Vasjari. Ai thotë se raporti Rama-Meta nuk ka ndryshuar shumë që nga momenti kur Kryeministri u shfaq i bindur për vijimin e koalicionit me LSI-në, ndërsa për ngritjen e çadrës nga opozita është i mendimit se një kontribut të madh ka dhënë edhe Ilir Meta.

“Raporti mes të dyve nuk ka një zhvendosje dramatike këto deklaratat e fundit. Unë mendoj që shenjat e gishtave të Ilir Metës dhe LSI-së në ngritjen e çadrës, janë shumë më e dukshme nga sa ne mendojmë. Ka një konflikt PS-LSI për çështje të arsimit, ndërkohë që Lulzim Basha premton që gjëja e parë që do të bëjë është anulimi i ligjit për arsimin e lartë. Ka pra një mbivendosje temash mes LSI-së dhe çadrës, që nuk janë të rastësishme”, deklaroi Minxhozi, duke shtuar se ndryshimi i Tahirit me Fatmir Xhafajn nuk e ka kënaqur Metën.

Ai thotë se situata politike në vend është më shumë tripolare se kurrë ndonjëherë.

Eduard Zaloshnja thotë se kleçka që Ilir Meta të kushtëzojë forimin e qeverisë së re është që të dalë në zgjedhje më vete ose në një koalicion tjetër nga PD me PS.

“Nëse mendojmë se Meta do të dalë më vete, thelbi është nëse do të arrijë koalicioni i Ramës të marrë 71 mandate, sepse koalicioni i PD, nuk ka mundësi. Thelbi është që koalicioni i Ramës të mos marrë 71 mandate, atëherë bëhen mjaft të vlefshme mandatet e Ilir Metës”, deklaron ai.

Edhe Agron Gjekmarkaj kërkoi nga Ilir Meta që të qartësojë qëndrimin e tij.

“Sepse po shohim që ka një 2-3 muaj që sillen si opozitë, ndërkohë që janë në qeveri. Dalin e kundërshtojnë ligjin e arsimit të lartë, ndërkohë që e kanë votuar pa asnjë kundërshtim dhe kjo mua më duket hipokrizi. Aludojnë për ministrin Xhafaj që është njeri i lidhur me diktaturën. Edhe unë mendoj se është i lidhur dhe emërimi i tij ministër për mua është një provokim për Ilir Metën, për opozitën dhe një provokim për disa shtresa të caktuara të shoqërisë”, deklaroi ai.
Gjekmarkaj thotë se as Ilir Meta nuk e zgjidh krizën. Sipas tij, kriza e madhe është tek sistemi dhe zgjedhjet e lira e të ndershme.

Alfred Lela thotë se zgjidhja është një qeveri teknike me bazë të gjerë që të jetë produkt i një konsensusi të gjerë politik dhe jo një zgjidhje e kushtëzuar nga Meta.

Top Channel