ISIS merr autorësinë e sulmit në Londër

23/03/2017 00:00

Shteti Islamik mori përgjegjësinë e sulmit tragjik të një dite më parë në Londër, ku humbën jetën 3 persona e u plagosën 40 të tjerë. Gazeta “The Sun” citon raportet e agjencisë së lajmeve “A’maq”, të lidhur me grupin ekstremist, të pohojë se njeriu që mbolli terrorin në zemrën e kryeqytetit britanik ishte një ushtar i ISIS-it.

Vet kryeministrja Theresa May tha përpara deputetëve të rimbledhur në Parlament se atentatori ishte i lindur në Angli dhe një person i njohur për policinë e i hetuar edhe nga “MI5”. “Ne nuk kemi frikë, – deklaroi shefja e ekzekutivit, – dhe nuk do ta lëmë veten që të bëhemi prè e saj”.

“Një akt terrorizmi u përpoq t’i mbyllte gojën demokracisë sonë, por po e them këtu, përpara Parlamentit më të vjetër të botës: Ne nuk frikësohemi, sepse e dimë shumë mirë që demokracia dhe vlerat që ajo përfaqëson do të triumfojnë gjithmonë”, tha May.

May shtoi se zyrtarët nuk janë ende gati të bëjnë publik emrin e agresorit për arsye hetimi, por sqaroi se nuk ka pasur asnjë provë të mëhershme mbi qëllimet e tij apo komplotin që po thurte.

Ideja që mbështesin zyrtarët britanikë të sigurisë është se, autori i ngjarjes së rëndë ishte frymëzuar nga ideologjia islamike. 8 persona u arrestuan më herët dhe të paktën 6 apartamente u bastisën nga forcat e policisë.

Me qindra detektivë punuan përgjatë të gjithë natës që të vepronin sa më shpejt për ndalimin e ndonjë bashkëpunëtori të mundshëm, ndonëse bindja e tyre është se sulmuesi ka vepruar i vetëm dhe nuk priten episode të mëtejshme të së njëjtës natyrë.

Një minutë heshtjeje u mbajt në Londër në nder të viktimave, një ndër të cilët polic. Mënyrën e sulmit, ekspertët e lidhën që në fillim me ISIS-in dhe heqin paralele me masakrën e Nicës apo incidentin e natës së Krishtlindjes në Berlin.

Ngjarja e Londrës duket se vë në zbatim udhëzimet e Al Kaedës dhe Shtetit Islamik, të përcjella përmes videove dhe manualeve të detajuara.

Top Channel