Hetimet për grabitësit, kontroll pasurive të familjarëve

23/03/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda, krahas hetimit për grabitjen e vlerave monetare në rrugën e Rinasit, ka nisur edhe një tjetër hetim për këtë çështje, por kësaj radhe të llojit pasuror.

Këtij hetimi i janë nënshtruar jo vetëm personat e arrestuar si të dyshuar për këtë grabitje, por edhe ndaj familjarëve të tyre.

Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë pohuar për TCH se, duke iu referuar të dhënave të marra nga zyrat e Gjendjes Civile janë rreth 40 persona, të afërm të 8 të arrestuarve, pasuria e të cilëve, e luajtshme dhe e paluajtshme, si dhe llogaritë e mundhsme bankare që mund të kenë do të verifikohen nga prokuroria.

Nga të dhënat e para rezulton se shumica e personave që do t’u verifikohet pasuria, përfshirë edhe të arrestuarit, kanë të ardhura të padeklaruara.

Në këtë mënyrë, çdo pasuri apo llogari bankare që mund t’u rezultojë do të jetë objekt i verifikimit se me çfarë të ardhurash e kanë siguruar.

Ky hetim pasuror bëhet për faktin se nga shuma totale e vjedhur gjatë grabitjes, e cila është përllogaritur në rreth 7 milionë euro, policia pas arrestimit të të dyshuarve ka gjetur deri më tani vetëm rreth 500 mijë euro të fshehura dhe groposura në vende të ndryshme.

Top Channel