Berisha: Rama, asnjë garanci për votë të lirë. Të japë dorëheqjen

22/03/2017 00:00

Në mungesë të Lulzim Bashës, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Uashington, fjalën e radhës në çadrën e protestës së opozitës e ka marrë ish-kryeministri Berisha.

Berisha ka përsëritur akuzat ndaj pasardhësit të tij në krye të qeverisë, duke thënë se nuk ofron asnjë garanci për zgjedhje të lira e të ndershme.

“Kjo mazhorancë ka zhdukur çdo shpresë për të patur votën e lirë. Politikat kriminale të Edi Ramës e kanë mbushur shqipërinë me drogë”, ka thënë Berisha, i cili e ka krahasuar kryeministrin aktual me diktatorë të Amerikës Latine.

“I them Edi Ramës se nuk ke asnjë ndryshim nga Manuel Noriega. Edi Rama nuk do të largohet nga marinsat, por nga këta të rinj këtu”, ka thënë më tej Berisha.

Ai ka theksuar se, protestuesit opozitarë janë njerëz paqësorë, por edhe të gatshëm të mbrojnë me çdo çmim thelbin e lirisë.

“I them Ramës të japë dorëheqjen dhe t’i hapë rrugë qeverisë teknike. I them të dëgjojë zërin e çadrës pasi ai përfaqëson të ardhmen”, ka shtuar Berisha.

Top Channel