Riverifikimi për dekriminalizimin, KQZ: Berisha, Dule, Braho, Kosta….

21/03/2017 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të enjten do të bëjë riverifikimin e formularëve të vetëdeklarimit për disa të zgjedhur deputetë dhe kryetarë të bashkive.

Lista hapet me emrin e Arben Ristanit dhe aty është edhe ish Kryeministri Berisha. Në total janë 13 deputetë si dhe 8 kryetarë bashkishë.

Ajo që bie sy është fakti se organi i akuzës ka kërkuar ndërprerjen e mandatit vetëm për 2 kryetar bashkie, përkatësisht Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.

Argumentimi i Prokurorisë është se Zotkaj dhe Peçi nuk kishin treguar dënimet që kishin marrë, pavarësisht se dënimet nuk ishin shkak për heqjen e mandatit, mosdeklarimi është argumenti i përdorur nga organi i akuzës.

Por, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi që në përfundim të afatit për t’ju përgjigjur kësaj kërkese të risjellë diskutimin për të gjithë të zgjedhurit që kanë deklaruar jashtë afateve të dhënat e tyre në deklaratën e dekriminalizimit.

Pranimi i deklarimeve jashtë afateve ligjore nga ana e KQZ-së është gjetur si shkelje ligji nga ana e Prokurorisë së përgjithshme, e cila nisi edhe një hetim penal.

Emrat të cilët kanë bërë deklarime jashtë afateve janë në listën e KQZ-së e cila ka bërë bashkë deputetët, Eduard Halimi, Florian Mima, Myqerem Tafaj, Spartak Braho, Vangjel Dule, apo kryebashkiakët Artur Bardhi, Edmond Themelko, Ndrec Dedaj, Rajmonda Balilaj, Adel Lala, Zef Hila si dhe dy kryebashkiakët Tërmet Peçi dhe Adriatik Zotkaj.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i 3 anëtarëve të opozitës në KQZ, të cilët me anë të një letre kanë kërkuar verifikimin vetëm të dy kryebashkiakëve për të cilët organi i akuzës ka kërkuar ndërprerjen e mandatit.

Por kryetari Denar Biba ka vendosur që të kryhet verifikimi për 21 zyrtarë, një vendim ky i cili pritet të shtojë debatet në arenën e ndezur politike të Shqipërisë.

Top Channel