Kapet rrjeti i kokainës, arrestime në Itali dhe Shqipëri

21/03/2017 00:00

Një grup kriminal që drejtohej dhe përbehej nga shqiptarë me banim në Vlorë dhe që trafikonte kokainë nga Luksemburgu, Belgjika dhe Holanda drejt Italisë u shkatërrua pas një operacioni ndërkombëtar ku mori pjesë edhe Policia e Shtetit.

Grupi përbëhej nga 9 shqiptarë, 1 italian dhe 1 maroken, ndërsa përveç vendit fqinj, aktiviteti i tyre ishte shtrirë edhe në Gjermani.

Kreu i grupit kriminal si dhe 2 persona të tjerë janë vënë në pranga në qytetin e Vlorës, ndërsa identiteti i tyre nuk bëhet i ditur për shkak të vijimit të operacionit dhe dyshimeve se në trafikun ndërkombëtar të kokainës janë të përfshirë edhe persona të tjerë.

“Grupi e trafikonte drogën nga Vendet e Ulëta drejt verirut të Italisë, në Firence, ku kishte dhe bazën. Gjatë operacionit janë sekuestruar 3.5 kg kokainë, ndërsa në një rast tjetër janë sekuestruar 19 kg kanabis që i përkiste këtij grupi”, deklaroi drejtori i policisë, Idajet Faskaj.

Në bazë të hetimeve nuk rezulton që ky grup të ketë nisur sasi narkotikësh nga Shqipëria, megjithatë ndaj tyre pritet të nisë edhe hetimi pasuror.

Top Channel