Patra, ndalohet gardiani që fuste drogë në burg. Pranga 7 shqiptarëve

20/03/2017 00:00

Departamenti i Antidrogës së Patrës ka shkatërruar një organizatë që furnizonte me drogë burgun e “Shën Stefanit” në Patra.

Sipas komunikatës për shtyp të policisë, një gardian 48-vjeçar i burgut akuzohet se, në bashkëpunim me 7 shtetas shqiptarë të grupmoshës 25-40 vjeç dhe dy grekë, 21 dhe 50 vjeç, furnizonin me lëndë të forta narkotike të dënuarit e burgut të Patrës kundrejt shumave të mëdha të parave, të cilat arrinin deri në dyfishin e çmimit të çdo doze që shitej brenda burgut.

Autoritetet thanë se nisën një hetim, pasi në burgun e Patrës ishte vënë re rritja e sasisë së lëndëve narkotike të përdorura prej të dënuarve, si dhe lehtësisë me të cilën ajo gjendej brenda ambienteve të burgut.

Prej hetimeve dhe përgjimeve të kryera rezultoi se, 7 shqiptarët kishin detyrë gjetjen e sasive të drogës dhe aparateve celulare, të cilat shiteshin deri në 1.300 euro copa te të dënuarit, dhe në vazhdim 48-vjeçari i fuste ato në ambientet e burgut, duke shmangur kontrollet prej kolegëve të tij.

Agjentët e Antidrogës e ndaluan 48-vjeçarin në oborrin e insitucionit të riedukimit, në vendin “Shën Stefan” në Patër, ku edhe i gjetën sasinë prej 1.3 kilogram kanabis, 41 gramë kokainë, 8 celularë, një sasi heroine dhe peshore elektronike, të cilat do t’i fuste brenda ambienteve të burgut.

Më tej agjentët vunë në pranga edhe anëtarët e tjetër të organizatës. Llogaritet se, prej këtij aktiviteti, kjo organizatë kishte përfituar shuma të mëdha parash.

Të arrestuarit dhe materialet në ngarkim të tyre iu dërguan Gjykatës së Patrës, e cila vendosi t’i lërë në burg deri në përfundimin e hetimeve, ndërkohë që Prokuroria e Patrës njofotoi se hetimet lidhur me këtë organizatë dhe bashkëpunëtorët e tjerë të saj do të shtrihen edhe në burgjet e tjera të vendit, pasi dyshohet se ata janë furnizues me lëndë narkotike edhe të burgjeve të tjera në vend.

Top Channel