“Vettingu po vepron”; Artan Hoxha: S’ ka krizë në institucione

19/03/2017 00:00

Eksperti i Reformës në Drejtësi, pedagogu Artan Hoxha thotë se moskrijimi i organeve të reja të drejtësisë nuk krijon krizë. Kjo është e zgjidhur nga legjislacioni i ri i Reformës thotë juristi.

Pyetjes së Top Channel se kur do nisë zbatimin Reforma në Drejtësi, Hoxha thotë se Vettingu po jep efekte sepse gjykatat po punojnë më mire dhe po i argumentojnë më saktë vendimet e tyre.

Top Channel: Si mund të zgjidhet ngërçi që do të mund të krijohej me mos instalimin e institucioneve të reja të drejtësisë, si organi i akuzës dhe Këshilli i Drejtësisë?

Artan Hoxha: Për sa u përket asaj që lidhet me procesin penal janë patur në konsideratë të gjitha opsionet që hyrja në fuqi e këtyre organeve të reja; Siç është Prokurori i Posaçëm dhe Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar të parashikohen në Kodin e Procedurës Penale që rregullat për aplikimin e këtyre normave dhe funksionimin e këtyre organeve fillojnë pas krijimit dhe hyrjes së tyre në funksionim duke mos krijuar një ngërç institucional dhe pamundësi të hetimit dhe gjykimit të këtyre veprave penale për shkak të mungesës së këtyre institucioneve të reja. Në kuadër të saj është parashikuar që Prokuroria të vijojë funksionin sikurse ligji parashikon deri në krijimin e organeve të reja.

Top Channel: Për sa vite mund implementohet e plotë Reforma në Drejtësi?

Artan Hoxha: Ajo që është e rëndësishme është që të ndryshojë koncepti lidhur me dhënien e drejtësisë, ajo që sot është një mentalitet i shoqërisë shqiptare, që të marrësh drejtësi duhet të paguash duhet të ndryshojë. Ndryshimi i rrjedhës, i konceptimit të dhënies drejtësi, për mua kjo është Reforma. I gjithë procesi për reformimin e sistemit prej dy vitesh i ka sjellë efektet e para ka një disiplinim më të mirë të gjyqtarëve, prokurorëve në ushtrimin e funksioneve të tyre. Ka një përgjegjshmëri më të lartë. Po të shohësh sot vendimet gjyqësore arsyetohen më mirë. Ndoshta kjo është fillimi i ndryshimit të mentalitetit në mënyrën e dhënies drejtësi

Top Channel