Sulmohen gjatë “emigrimit ilegal”, ndërron jetë një shtetas

19/03/2017 00:00

Një person është vrarë barbarisht, një është plagosur rëndë dhe një tjetër është dëmtuar në afërsi të vijës kufitare me Greqinë teksa po përpiqeshin të kalonin ilegalisht kufirin.

Ngjarja e rëndë është regjistruar në fshatin Braçanj në Devoll, ku tre personat janë sulmuar dhe grabitur teksa po përpiqeshin të kalonin kufirin e gjelbër drejt Greqisë dhe për pasojë njëri ka gjetur vdekjen.

Mbrëmjen e së shtunës, Mentor Vurnazi, Zarif Alliu dhe një mik i tyre ishin nisur drejt shtegut klandestin në këtë zonë, por janë sulmuar nga një grup personash të cilët u kanë grabitur gjithçka kishin dhe më tej i kanë goditur me dru duke i masakruar.

Sipas dëshmitarëve, banorë në afërsi të zonës ku ka ndodhur ngjarja, tre personat kanë kërkuar ndihmë duke trokitur në banesat e tyre.

Pasi banorët u kanë dhënë ndihmën e parë, menjëherë është lajmëruar policia dhe ata janë transportuar në spital, por Zarif Alliu, 44 vjeç, nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve të marra. Policia po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.

Top Channel