Theodhor Ziu zgjohet çdo mëngjes me të njëjtën dëshire: të shfaqë për publikun filmat e fundit sipas programit të caktuar në kinema. Prej me shumë se 50 vitesh ai ndjek të njëjtën rutinë ditore, që nuk i mërzitet, sepse misioni i tij i argëtimit të spektakorit të sallës, përmbushet me sukses çdo ditë.

Prej më shumë se gjysëm shekulli Dhori ndan ditën e tij me bobinat, filmat 16, 18 e 35 mm, të cilët pas rënies së sistemit komunist dhe me zhvillimin e kinemasë janë zëvendësuar me projektorë modernë. Këta janë miqtë më të mirë të Dhorit, me të cilët kalon pjesën më të madhe të kohës.

“Në moshën 14-vjeçare fillova transportues filmi duke çuar filma nga kinema “Partizani” në kinema “17 nëntori”, gjithashtu edhe tek “Republika”. Dalëngadalë filloi të më hynte në qejf filmi ndaj vazhdova të punoja me rrogën 2.400 lekë në muaj. Për kohën në moshën time ishte rrogë e mirë se kur çoja lekë në shtëpi u dukte sikur i çoja ndonjë gjë të madhe babait. E mbarov 7-vjeçaren, bëra dhe një vit të 8-tën dhe vazhdova punën e kinemasë. U njoha me shefa të kinemasë siç kanë qënë x e y, shokë shumë të mirë që më ndihmuan”, thotë Ziu.

Dashuria për kinemanë sapo ishte injektuar në venat e Dhorit, i cili ndoqi shkollën profesionale për kinomekanik, pa shkëputje nga puna.

“Në vitin 1968 dhashë provat e para dhe më dhanë patentë, më thanë “Do shkosh në fshat?”. U thashë “Po”. Shkova në fshat 5-6 vjet. Mbasi mbaroi shfaqja e filmave në fshat, erdha në qytet 19 vjeç. Mbasi u lirova nga ushtria në ’72-shin më thirrën përsëri”, vijon rrëfimi i tij.

Arti i kinemasë u fal aktorëve, regjisorëve, skenaristëve e stafit realizues të çdo filmi, kënaqësinë për çdo sukses të arritur. Por shkëlqimin e dritave të projektorëve pas një suksesi të realizuar, Dhori nuk e ka provuar kurrë. Në heshtje, ai punon që gjithçka pas kuintave të shkojë mirë.

“Kisha një dëshirë të madhe. Më pëlqeu shumë arti i kinemasë ndaj e ndoqa. Në profesionin tim kam që nga viti 1965, i bie gati 50 vite pune”, thotë Dhori.

E si në çdo profesion, edhe Dhori ka pasur momente të vështira. Ai tregon se nga shfaqja e një filmi është varur edhe fati i jetës së tij.

“E kam pasur shumë të vështirë kur kam shfaqur filmin “Besniku i Partisë”, për Hysni Kapon. Nuk guxonte njeri të shkonte në Komitet Qëndror për ta shfaqur filmin dhe dola shumë mirë. Të gjithë po prisnin poshtë çfarë po ndodh…një defekt i vogël të ndodhte dhe kisha pasoja. Aty e kam parë pak ngushtë veten”, rrëfen Dhori.

Projektimi i filmave në familjen e Dhorit është kthyer në një profesion familjar, pasi këtë pasion ua ka trashëguar edhe fëmijëve.

“Pasioni është pasion i imi në radhë të parë si baba e pastaj është pasion i fëmijëve të mi. Është një shumë e pastër, e bukur dhe e ndjekin këtë kinema që ia kam dhënë fëmijëve, çunit, që ai të ecë në hapat që eci edhe unë”, thotë Dhori.

Top Channel