Selanik, burg përjetë shqiptarit që vrau bashkëshorten greke

16/03/2017 00:00

Pas një seance maratonë, gjykata greke në Selanik ka dënuar 35-vjeçarin shqiptar, James Klod Lesi, me burgim të përjetshëm për vrasjen me qëllim të bashkëshortes së tij greke një vit më parë, në fshatin Ormilia në Halkidiki.

Atij i është dhënë edhe një dënim shtesë prej 5 vitesh burg, për shkak të rrëmbimit të djalit të tij të mitur për 18 ditë, duke vënë jetën e tij në rrezik, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjykata, me vendim unanim nuk i ka njohur atij asnjë rrethanë lehtësuese për vrasjen barbare të kryer janarin e vitit 2016, që tronditi Greqinë dhe ishte temë e parë e medieve greke për shumë ditë.

35-vjeçari shqiptar, që ishte divorcuar 3 muajt e fundit nga bashkëshortja e tij greke dhe ka pasur konflikte me të për ndarjen, ka hyrë në shtëpinë ku banonte viktima dhe dy djemtë e tyre të moshës 4 deri në 6 vjeç, dhe e ka vrarë atë përpara syve të tyre duke e qëlluar disa herë me thikë.

Më pas, pasi ka marrë vetëm një prej fëmijëve, u zhduk për 3 javë derisa u gjet nga policia greke. Pasi ka dëgjuar vendimin, Klod Lesi është dërguar në burgun e Malandrinos, ndërsa prindërit dhe vëllai i bashkëshortes së vrarë janë shprehur se më në fund është vendosur drejtësia.

Top Channel