Prokuroria kërkon 25 vite burg për Mark Frrokun

16/03/2017 13:00

Prokuroria i kërkoi gjykatës të shpallë fajtor ish-deputetin kristian-demokrat Mark Frroku për 4 akuza, më e rënda e të cilave është ajo e vrasjes së Aleksandër Kurtit në vitin 1999. 

Prokurorët mendojnë se Mark Frroku duhet të dënohet me 25 vjet burgim si edhe për 10 vjet t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike. Prokurorët përshkruan gjatë pretencës se në shtetin belg ish-deputeti njihej me pesë emra.

Autoritetet thonë se gjatë një konflikti për çështje femrash, të cilat shfrytëzoheshin në këtë vend, Frroku u përfshi së bashku me Kristjan Marinajn dhe persona të tjerë duke shkaktuar vdekjen e Aleksandër Kurtit, i njohur në këtë shtet si Azem Shkreli. Por, ndërsa i dyshuari si bashkëpunëtor Marinaj mori pafajësinë nga Shkalla e Parë me argumentin e mungesës së provave, prokuroria këmbënguli në dënimin e Frrokut me 17 vjet burg për të njëjtin  episod.   

Pas vendimit të pafajësisë për Marinajn, edhe pozitat e Frrokut pritet të jenë të lehtësuara për këtë ngjarje, pasi ndaj të dyve, në duart e gjyqtarëve, janë të njëjtat materiale hetimore. Megjithatë, prokuroria tha se Frroku ka pastruar para’ e për këtë duhet të dënohet me 15 vjet burgim, pasi dhjetëra asete pasurore dhe truaj mendohet të kenë si burim aktivitetin kriminal. Vlera e këtyre aseteve kap 209 milionë lekë, ndërkohë që ndaj tij rëndon edhe vepra e ndërtimit pa leje të një shtese objekti në Tiranë.

Mbrojtja e ish-deputetit ka kohë deri në datën 30 të përgatisë strategjinë e saj, në një kohë që një tjetër proces gjyqësor ndodhet edhe në tryezën e gjyqtarëve të lartë për dosjen Bami-Doshi.

Pretenca e shpallur nga Prokuroria kundër Mark Frrokut:

17 vjet burg për vrasje
3 vjet burg për fshehje pasurie
15 vjet burg për pastrim parash
4 vjet burg për ndërtim pa leje
10 vjet heqje e të drejtës për funskione publike

Top Channel