Durrës, gjendet një trup i pajetë në det

15/03/2017 00:00

Trupi pa jetë i një peshkatari nga Lezha u gjet mëngjesin e sotëm në ujërat e basenit të portit detar të Durrësit.

Viktima u identifikua fillimisht nga peshkatarët e tjerë si Pjetër Frroku, 54 vjeç nga Lezha, i punësuar si peshkatar në një nga anijet e flotës së peshkimit në Durrës.

Nga hetimet e para mbi ngjarjen rezulton se Frroku nuk ka pasur konflikte me persona të tjerë, ndërsa ishte parë për herë të fundit mbrëmjen e kaluar në një nga lokalet që ndodhet në zonën pranë kalatës së peshkimit, nga ku është larguar për të shkuar në motopeshkatoren ku punonte.  

Nga hetimet e para nuk konstatohen shenja dhune, ndërsa vdekja i ka ardhur nga mbytja në ujë. Dyshohet se Frroku mund të ketë qenë i dehur dhe gjatë rrugës për në anijen ku punonte mund të ketë rrëshqitur e rënë në det pa mundur të reagojë.

Megjithatë, hetimet e mëtejshme dhe ekspertiza mjeko-ligjore do të përcaktojnë zyrtarisht rrethanat e plota të ngjarjes dhe shkakun e vdekjes së peshkatarit Frroku.

Top Channel