Meta në Finlandë, pritet nga ministri i Jashtëm

14/03/2017 00:00

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, u prit në takime të veçanta nga Ministri i Jashtëm i Finlandës, Timo Soini dhe nga Ish-Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari.

Meta dhe Soini ndanë bindjen se bashkëpunimi mes dy vendeve duhet intensifikuar, veçanërisht në drejtim të shkëmbimeve ekonomike.

Kryetari i Kuvendit shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Finlandës ndaj integrimit evropian të Shqipërisë dhe nënvizoi përkushtimin e Kuvendit në interes të dialogut politik dhe avancimit cilësor të reformave kyçe, siç është ajo e sistemit të drejtësisë.

Ministri i Jashtëm i Finlandës u shpreh se Finlanda e mbështet Shqipërinë në rrugëtimin e saj evropian dhe theksoi se forcimi i sundimit të ligjit në të gjithë vendet e Ballkanit i shërben gjithë Evropës.

Në përfundim, Meta dhe Soini biseduan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke theksuar rëndësinë e mbarëvajtjes së stabilitetit dhe perspektivës evropiane të të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor ku Shqipëria luan një rol kyç.

Gjatë vizitës në Finlandë, Meta u prit në takim edhe nga ish-Presidenti i Finlandës, Martti Ahtisaari, i cili ka fituar çmimin Nobel për paqen dhe është themelues i Nismës për Menaxhimin e Krizave (CMI).
 
Pasi e falënderoi për mikpritjen, Meta i dorëzoi Ahtisaarit “Dekoratën e Flamurit Kombëtar” të akorduar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani. Ky titull i është akorduar Ahtisaarit me motivacionin: “Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm politik e diplomatik, si i Dërguar i Posaçëm i OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës, që shënoi nisjen e procesit të Pavarësisë së Kosovës e njohjen ndërkombëtare të saj, ndërtimin e institucioneve shtetformuese dhe demokratike në vend, në dobi të paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”.

Ish-Presidenti i Finlandës, Ahtisaari, falënderoi Kryetarin e Kuvendit për këtë çmim dhe shprehu mirënjohjen për vlerësimin që i ka bërë Shqipëria.

Top Channel