Dita e Verës, Rama e Basha në Elbasan

14/03/2017 00:00

Edi Rama dhe Lulzim Basha ishin të dy në Elbasan, por në intervale të ndryshme kohore. Edhe mesazhet që ata dhanë ishin të ndryshme.

Kryeministri, i cili vizitoi qendrën e qytetit, projekt i rilindjes urbane, i dha të njëjtën rëndësi reformës në drejtësi dhe ekonomisë.

“Ashtu siç po punojmë shumë fort për të bërë shtet dhe për të hequr nga rruga e të ardhmes Gjykatësit dhe Prokurorët e korruptuar, ashtu do vazhdojmë të punojmë shumë fort për të rritur më tutje ekonominë dhe për të krijuar më shumë mundësi për punësim për të gjithë. Të vetmit të papunë në Shqipëri duhet të jenë ata që e mbajnë Shqipërinë peng, Gjykatësit dhe Prokurorët e korruptuar”, u shpreh kryeministri Rama.

Lulzim Basha ishte me herët në Elbasan. Kreu i opozitës pati kohë të vizitonte edhe panairin tradicional të Ditës së Verës, ku vendosi veroren dhe bleu disa produkte prej tij.

Lulzim Basha, i cili për here te pare del jashtë çadrës së protestës në Tiranë për një aktivitet publik, u përpoq të shmangte komentet politike. Megjithatë edhe ai e dha një mesazh kur u pyet për dyshimin e ngritur nga kryeministri se kreu i opozitës ishte i gatshëm te punonte me qarqe që nuk i duan të mirën Shqipërisë.

“Nuk do të merrem me komente broçkullash, se është Dita e Verës. Por dua t’iu uroj të gjithë shqiptarëve: Gëzuar Ditën e Verës! Dhe qoftë fillimi i punëve të mbara dhe mbarimi i punëve të nisura si Rruga e Elbasanit dhe i punëve të tjera të mira, të shumta, që do të bëjmë së bashku për Shqipërinë dhe për gjithë shqiptarët”, u shpreh Basha.

Top Channel