Ushtria e Kosovës, Thaçi ngulmon: Jap dorëheqjen nëse nuk realizohet

11/03/2017 00:00

Veprimet e fundit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po shihen me pakënaqësi të madhe jo vetëm nga ambasadorët e huaj në Prishtinë, por edhe nga qeveritë qendrore duke përfshirë Uashingtonin dhe Brukselin.

Pohimin e bën për mediat kosovare një burim diplomatik perëndimor, i cili ka preferuar të flasë në kushte anonimati. Sipas këtij burimi, iniciativa e Thaçit për transformimin e FSK-së në ushtri përmes ligjit, pa pajtimin e aleateve amerikanë dhe të atyre të NATO-s, ka shkaktuar goxha shqetësim, shkruan sot Koha Ditore.

Për më tepër, vazhdon diplomati, përllogaritjet e presidentit se “është aq i rëndësishëm për Perëndimin sa do të shpëtohet prej gabimeve të tij, nuk do te dalin ashtu siç i mendon ai. Thaçi deklaroi të premten për televizionin publik të Kosovës se do të japë dorëheqjen dhe do ta çojë vendin në zgjedhje të parakohshme nëse Parlamenti nuk voton ndryshimin e rolit te Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e shndërruar atë në ushtri.

Presidenti dorëzoi të martën në Kuvend projektligjin për ndryshimin e misionit dhe detyrave të FSK-së, duke nxitur reagimin e NATO-s dhe ambasadës amerikane që thanë se miratimi i ligjit do t’i shtyjë të rivlerësojnë bashkëpunimin dypalësh me forcat e sigurisë të Kosovës si dhe ndihmën afatgjatë për to. Tre vjet më parë, ishte pikërisht çështja e ushtrisë së Kosovës ajo që e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Top Channel