Vlorë, Gjykata pranon sekuestron e pronave të babait të Isuf Brahimajt

07/03/2017 00:00

Një vit pasi prokuroria kërkoi konfiskimin e hotelit të babait të Isuf Brahimajt, i vrarë në gusht të 2014, gjykata ka pranuar kërkesën.

Shkak për këtë kërkesë janë dyshimet e arsyeshme se godina 5-katëshe është ndërtuar me paratë e aktivitetit kriminal të të birit. Në vijim të atentatit ndaj tij, një ndër pistat e ngritura është ajo për përplasjet e mundshme për trafikun e drogës, pasi Isuf Brahimaj, ishte dënuar më herët nga autoritetet italiane dhe hollandeze.

Prokuroria ka konstatuar se Shpëtim Brahimaj, kishte legalizuar në emër të tij një ndërtesë 5-katëshe të papërfunduar, e cila ishte destinuar për shërbime hotelerie. I ati i Isufit, sipas veprimeve proceduriale të prokurorisë së Vlorës nuk ka pasur mundësi financiare të realizonte shpeznimet e ndërtimit të hotelit, që mund të ketë shkuar deri në 100 milionë lekë të reja.

Hetimi për këtë rast, fillimisht është ndjekur nga ana e Prokurorisë së Vlorës, në bazë të referimit të Drejtorisë së Policisë Vendore. Me kërkesë të Prokurorisë së Vlorës, në vitin 2015 gjykata e qytetit vendosi sekuestron preventive dhe më pas, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda, në kuadër të ligjit të njohur si “Antimafia”.

Nga hetimet e Prokurorisë për Krime të Rënda rezultoi se trualli dhe hoteli i regjistruar në emër të Shpëtim Brahimaj, është rrjedhojë e të ardhurave financiare nga aktiviteti kriminal i djemve të tij, Ermal Brahimaj dhe vëllait të tij, Isuf Koka (Brahimaj). Të dy djemtë e Shpëtim Brahimaj kanë precedentë penalë në Itali dhe në Hollandë, ku ata shfaqen me emra të ndryshëm.

Gjatë procesit gjyqësor për konfiskimin e pasurisë, Prokuroria për Krime të Rënda vendosi në dispozicion të gjykatës materiale, ku evidentohen të dhëna me interes për hetimin në drejtim të ekzistencës së procedimeve penale dhe proceseve gjyqësore ndaj shtetasit Ermal (Brahimaj) Bajrami (i njohur edhe me gjeneralitetet Bashkim Brahimaj dhe Ermal Memo), i biri Shpëtim, i datëlindjes 08.01.1982, lindur në Vlorë  dhe vëllai i tij Isuf  Koka (Isuf Brahimaj), i biri i Shpëtim, i datëlindjes 12.08.1972, lindur në Qishbardhe Vlorë.

Top Channel