Gjobvënësit e Shkodrës, një prej “taksambledhësve” tregoi strukturën e grupit

07/03/2017 00:00

Ndonëse me përgjime të konsiderueshme që zbërthejnë rolin e gjithësecilit në grupin e gjobëvënësve të tregtarëve në Shkodër, prokuroria po përpiqet të tërheqë në bashkëpunim njërin nga të dyshuarit.

Burimet pohojnë se 53-vjeçari Fatmir Dibra, njëri nga ushtarët që urdhërohej tu vilte tregtarëve gjobat mujore, ka treguar se si funksiononte grupi. Dibra, thanë burimet, përmendi si dy njerëzit kryesorë në grup vëllezërit Muhamet dhe Ibrahim Liçi, njëri 25 vjeç dhe tjetri 23 vjeç.

Ata jepnin urdhërat përmes telefonit, duke përcaktuar edhe emrat dhe grafikët se kush duhet të paguante, ndërsa në një rast kanë vendosur në dispozicion të anëtarëve edhe automjetin personal. Gjatë kontrolleve, njërit prej të dyshuarve si drejtues i grupit kriminal iu gjet në banesë edhe një uniformë policie. Por, megjithëse prokuroria i akuzon se kanë drejtuar të paktën 7 persona, duke i aktivizuar në gjobëvënie ndaj të paktën 200 tregtarëve në lagjen Kiras dhe Zdrale, të dy ata mbajtën qëndrim mohues.

Detar Hysi, avokati i Ibrahim dhe Muhamet Liçit, tha: “Nuk mund të quhen krerët e grupit përderisa jemi në fazat e para të hetimit. Do të ndjekim të gjitha rrugët ligjore”.

Për shkak se masa ishte dhënë në mungesë ndaj tyre, gjykata bëri vetëm njohjen e të dyshuarve. Ajo ndryshoi vendimin vetëm për Gerald Zdralen dhe shkak për këtë u bë mosha e tij, nën 18 vjeç.

“Ai nuk ka gisht fare. E gjithë Shkodra i njeh djemtë e mi se kush janë”, u shpreh babai i Geraldit.

Përgjimet tregojnë se si Muhamet Liçi, duke folur me anëtarin e bandës Abedin Bajraktarin, e inkurajon atë të vjelë sa më shumë të ardhura, pasi, sipas tij, nëse nuk i kapin 1 milionë lekë, duhet ta lënë këtë punë.

Grupi çdo muaj vilte taksa nga 1 mijë leke deri në 3 mijë lekë tregtarëve, pak ditë pasi kishte larguar me dhunë një grup tjetër që kryente të njëjtën veprimtari.

Top Channel