Peshku “ngel” në Europë

06/03/2017 00:00

Helidoni është një sipërmarrës shqiptar i suksesshëm i përpunimit të peshkut. Ai thotë se ka investuar 6 milionë euro në fabrikën e tij në Durrës, por për arsye që nuk varen nga ai, fabrika e tij mbyll dyert çdo korrik.

Arsyeja është e paimagjinuashme, quhet Bashkimi Europian.

“Kuotat aktuale të eksportit në 10 fabrikat që jemi aktualisht në vend i plotësojmë maksimumi brenda muajit korrik dhe pastaj na duhet të mbyllim”, thotë biznesmeni.

Vitet e fundit industria e përpunimit të peshkut është zgjeruar me ritme të shpejta duke shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Por sipas përpunesve të peshkut, kuotat vjetore të eksportit që Bashkimi Europian i lejon Shqipërisë plotësohen brenda pak muajsh.

“Aktualisht në këtë industri minimalisht mund të jenë të punësuar 5 mijë vetë. Nëse kuotat nuk janë të majftueshme nuk mund të mendohet që të bëhen investime të tjera apo të merren punonjës të tjerë”, thotë biznesmeni.

Mungesa e kuotave shtesë mban peng investimet e reja duke i shkaktuar ekonomisë humbje jo të vogla. Ky është një problem, i cili konfirmohet edhe nga vetë qeveria.

“Ka nevojë për kuota sepse kuotat e negociuara në vitin 2004 kjo industri i ezauron në 4 muaj. Duhet të paktën dyfishimi i kuotave”, thotë ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Qeveria do i kërkojë komisionit europian rritjen e kuotave për eksportin e peshkut, por thembra e akilit mbetet miratimi nga vendet fqinje si kroacia apo italia.

“Prandaj unë punën do ta filloj me partnerët fqinj, për një dakordësi për të mos kontestuar kërkesën në KE për rritjen e kuotave”, thotë Panariti.

Top Channel