Prokuroria: Burg për grupin e trafikantëve njerëzorë

03/03/2017 00:00

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi të shpallen fajtorë 6 persona të përfshirë në trafikimin e njerëzve nga vendet e përfshira në luftë drejt Bashkimit Europian.

Për Egzon Tushan , Ndriçim Durakun dhe Liridon Durakun prokuroria kërkoi dënimin e tyre me nga 10 vjet burgim për akuzat e grupit të strukturuar kriminal, kalim të paligjshëm të kufirit dhe vepra të kryera në kuadër të këtij grupi.

Ndërkohë, për shtetasin afgan Hamid Rahman, i cili negocionte për të gjetur personat që do të trafikoheshin, prokuroria kërkoi dënimin e tij me 5 vjet burg për kalim të paligjshëm të kufirit.

Me nga dy vjet burg u kërkua dënimi edhe për Admir Ademaj dhe Shkëlzen Dollakun, të cilët kanë patur rol në këtë grup si transportues. Prokurori tha se shtetasi afgan Rahman, kishte pak kohë që kishte ardhur në Shqipëri dhe në disa raste ka ndihmuar grupe afganësh që të kalonin nga Shqipëria drejt Austrisë.

Emigrantët janë sistemuar, sipas prokurorisë, për pak kohë në banesa dhe hotele periferike dhe më pas janë transportuar drejt kufirit me Kosovën.

Top Channel