Shpërblim 300 mijë lekë “spiunëve” të hashashit

02/03/2017 00:00

Në kuadër të parandalimit, zbulimit, dokumentimit ligjor dhe goditjes së veprimtarisë së kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike, SHÇBA në Ministrinë e Punëve të Brendshme i bashkohet përpjekjes së institucioneve ligjzbatuese.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat vë në dispozicion të publikut numrin e linjës së gjelbër 0800 90 90, për çdo informacion mbi rastet e implikimit apo favorizimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme nga punonjës policie dhe jo vetëm.

Shërbimi ka ngritur gjithashtu një grup të posaçëm pune, që do të trajtojë dhe shqyrtojë të gjitha të dhënat apo informacionet që do të ofrojnë shtetasit nëpërmjet këtij numri, duke nisur nga trafikimi i farës së kanabisit, grupet kriminale që merren me shpërndarjen e narkotikëve, informacion mbi personat që do të tentojnë kultivimin e bimës narkotike etj.

SHÇBA garanton ruajtjen e anonimatit për çdo të dhënë apo informacion. Për çdo shtetas që do të ofrojë informacion të vlefshëm është vënë në dispozion një fond shpërblimi, i cili për nga rëndësia dhe vërtetësia e informacionit do të shkojë deri në 300 mijë lekë.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat fton shtetasit të bashkëpunojnë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së kundërligjshme të kultivimit të bimëve narkotike në vendin tonë, duke kontribuar për një ambient më të sigurtë dhe një Shqipëri më të mirë.

Top Channel