Renato Milloshi në gjykatë: Nuk kam lidhje me ngjarjen

02/03/2017 00:00

Renato Milloshi, i vetëdorëzuar disa ditë më parë pasi dyshohet si bashkëpunëtor në vrasjen e Elton Çiços në maj të vitit të kaluar, ka mohuar çdo lidhje të tij me këtë ngjarje.

Gjatë paradites së të enjtes, Gjykata e Tiranës i komunikoi Milloshit masën e sigurisë “arrest me burg”, masë e cila ishte marrë në mungesë. Gjatë seancës, e cila zgjati pak minuta, Milloshi nuk e ka pranuar akuzën e vrasjes së kryer në bashkëpunim. Gjatë deklarimeve të dhëna para grupit të hetimit, Milloshi ka pranuar njohjen me të identifikuarin si autor të ekzekutimit të Elton Çiços, Jani Alia.

Por, nga ana tjetër, ai ka mohuar të kishte dijeni mbi planin e mikut të tij Alia për të ekzekutuar Çiçon. Sa i takon mbrëmjes së krimit, ku Milloshi dyshohet se ka larguar nga vendngjarje autorin e krimit me makinën që ishte në emrin e tij, Milloshi ka nxjerrë një tjetër alibi.

“Makina me të cilën u largua Alia pas krimit është në emrin tim, pasi këtë nder ma kërkoi vetë Jani”, është shprehur Milloshi. Ai ka shpjeguar se nuk ka paguar as lekë për makinën, por thjesht ka hedhur firmën tek noteri, duke pranuar pronësinë me letra të mjetit.

Ndërsa mbrëmjen e ngjarjes, Milloshi ka deklaruar se nuk ka qenë në mjetin me të cilin u largua Jani Alia, por ka qenë në banesën e tij, që nuk ndodhet shumë larg vendit të ngjarjes, së bashku me një person tjetër dhe se këtë fakt mund ta vërtetojnë edhe qelizat e celularit të tij. Por, pavarësisht kësaj alibie, gjykata nuk ndryshoi masën e sigurisë, e cila pritet të apelohet nga avokati i Milloshit, Alban Bengasi.

Top Channel