Mania për gjuhët e huaja

02/03/2017 00:00

Mësimi i gjuhëve të huaja gjithnjë e më shumë po kthehet në një trend. Në të gjithë botën krahas gjuhës amë, njerëzit mësojnë edhe gjuhë të shteteve të tjera dhe nevojat për ti përvetësuar ato janë nga më të ndryshmet.

Ka nga ata që i mësojnë për kulturë pasi janë kureshtarë, por ka dhe nga ata që i përdorin gjuhët e huaja për nevojat e tyre utililare, për studime jashtë, për tu punësuar, për marrëdhënie biznesi etj.

Duket se në Shqipëri, mësimi i gjuhëve të huaj po i bëhet i detyrueshëm edhe për faktin se që në klasat fillore ka  filluar mësimi i tyre , madje edhe më tej në shkollën e mesme ato janë bërë pjesë e provimeve të maturantëve pa të cilat ata s’mund të marrin dot diplomën. Disa fakte interesante sot…

Teksa pjesa dërrmuese e botës po përpiqet të mësojë Anglisht, por edhe frëngjisht e Spanjisht, rajoni i Ballkanit, përfshirë edhe Shqipërinë, është duke mësuar gjermanisht më shumë se të gjitha gjuhët e tjera. Ky është përfundimi në të cilin ka arritur një raport i publikuar nga “Quartz” bazuar në të dhënat e siguruara nga aplikacioni për mësimin e gjuhëve të huaja “Duolingo”.

Anglishtja është gjuha që po mësohet më shumë nga të gjitha vendet e  botës. Gjuha e dytë më e mësuar në botë është frëngjishtja e cila ndiqet nga spanjishtja. Ndërsa Ballkani është ndryshe nga të gjithë rajonet. Kështu, Gjermanishtja është gjuha më popullore në Bosnjë, apo edhe në shtetet e tjera të Ballkanit si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria.

Shumë të rinj në Shqipëri edhe më gjerë në rajon, po përpiqen të mësojnë gjermanisht dhe të transferohen me punë në Gjermani, falë programeve që ky shtet ka rinisur vitet e fundit për thithjen e krahut të punës.

Top Channel