Korçë, digjet për dashurinë

02/03/2017 00:00

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të së enjtes në qytetin e Korçës, ku një 38-vjeçar është djegur me benzinë në banesën e ish-vjehrrës dhe për pasojë ka humbur jetën.

Olgert Miho është lyer me benzinë në sheshpushimin e pallatit dhe më pas i ka vënë flakën vetes, ndërsa shkak për ngjarjen duket se është bërë ndarja nga e fejuara e tij. Sipas të dhënave, 38-vjeçari, teksa është vetëdjegur, ka arritur të hyjë në banesën ku ndodhej ish-vjehrra dhe persona të tjerë, çka ka bërë që edhe banesa të përfshihet nga flakët, ndërsa ka mbetur e dëmtuar edhe ish-kunata e autorit.

Sipas të dhënave, rreth një muaj më parë, 38-vjeçari ishte ndarë nga e fejuara me të cilën jetonte në Tiranë, për shkak të problemeve ekonomike dhe është kthyer në Korçë, ndërsa nuk e ka përjetuar mirë ndarjen. Mësohet se ai disa herë i kishte kërkuar të fejuarës që të riktheheshin bashkë, por kjo e fundit nuk ka pranuar, çka duket se e ka shtyrë 38-vjeçarin drejt vetëvrasjes.

Ndërkaq, mjekët bënë të ditur se ish-kunata e autorit ndodhet në spitalin e Korçës dhe ka djegie në pjesë të ndryshme të trupit, por pa probleme për jetën.

Top Channel