Emigrantët mësyjnë territorin spanjoll në Afrikën e Veriut

17/02/2017 00:00

Rreth 700 emigrantë kanë mësyrë një gardh sigurie prej 6 metrash, që ndan Marokun nga territori spanjoll i Ceutas në Afrikën e Veriut.

Policia tha se kamerat e sigurisë shfaqën emigrantët teksa shkonin përmes një porte, ndërsa disa mbanin në duar edhe gërshërë të mëdha prerëse telash.

Qeveria rajonale e Ceutas tha se rreth 500 emigrantë arritën të kalonin përtej pengesave me tela me gjemba.

Ceuta dhe Melilla, një tjetër territor spanjoll në veri të Afrikës, janë të vetmet rajone që ndajnë kufi tokësor të BE-së me Afrikën. Si pasojë, ato janë tejet të synuara për t’u shkelur nga emigrantët, të cilët shpresojnë të nisin një jetë të re në Europë. Ceuta vet ndahet nga territori i Spanjës nga ngushtica e Gjibraltarit.

Një zyrtar i qeverisë rajonale tha për “Associated Press” se 498 emigrantë kishin kaluar me forcë drejt territorit spanjoll. Dy prej tyre ishin dërguar në spital për shkak të plagëve të marra gjatë kësaj mësymjeje, ndërsa mbetën të plagosur gjithashtu edhe 11 policë spanjollë.

Shumica e atyre që u përpoqën të thyenin barrierat u zmbrapsën mbrapsht nga forcat marokene të sigurisë. Ndërsa ata që ia dolën të hynin në territorin spanjoll festuan orët e para të mëngjesit nëpër rrugë, duke thirrur “liri” dhe duke mbajtur flamuj europianë.

Top Channel