Trump takohet me Aben, por: Do ta fitojmë gjyqin për ndalimin e emigrantëve

10/02/2017 00:00

Presidenti amerikan Donald Trump nuk pranon humbje dhe deklaroi se nuk ka dyshime, që administrata e tij do t’i fitojë sfidat ligjore ndaj ndalimit të udhëtimeve. Komentet e tij, që u bënë gjatë konferencës për shtyp me kryeministrin japonez Shinzo Abe, lanë në plan të dytë takimin e zhvilluar me kreun japonez.

“Ne do ta mbajmë vendin tonë të sigurtë dhe do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për këtë. Shumë shpejt do të marrim masa shtesë për sigurinë e vendit dhe këtë do ta shihni që javën e ardhshme. Veç kësaj do të vazhdojmë proceset gjyqësore dhe do ta fitojmë çështjen në fjalë”, tha Donald Trump, president i Amerikës.

Trump nuk specifikoi se cilat do të jenë masat shtesë, por komentet e tij u bënë pas pyetjes nëse po konsideronte urdhra të tjerë ekzekutivë. Këto të fundit zbuluan limitin e fuqisë së tyre, kur urdhri për ndalimin e udhëtimit u frenua nga gjykatat.

Përsa i takon takimit me Shinzo Abe, Trump tha se aleanca mes SHBA-ve dhe Japonisë është gur themeli i sigurisë dhe paqes rajonale dhe se të dy vendet do të punojnë për të thelluar bashkëpunimin.

Në të njëjtin kuadër, kryeministri japonez deklaroi se gjatë dy ditëve të ardhshme, që do t’i kalojë në shoqërinë e Trumpit, do të flasin për të ardhmen e botës, rajonit dhe raportet mes dy vendeve. Abe nuk harroi të përgëzonte presidentin Trump për fitoren në zgjedhje, që sipas tij, e arritur nga dikush pa eksperiencë politike, është një fitore e demokracisë.

Top Channel