Shpërthim në një central bërthamor në Francë

09/02/2017 00:00

Një shpërthim i fuqishëm, i pasuar me një zjarr masiv, tronditën centralin bërthamor në lokalitetin Flamanville në bregun verior të Francës, por sipas autoriteteve vendase nuk ka asnjë rrezik rrezatimi.

Zyrtarë të centralit bërthamor konfirmuan gjithashtu incidentin, duke thënë se ishte një ngjarje problematike teknike, por jo një aksident bërthamor. Mësohet se 5 persona janë plagosur, por asnjë seriozisht.

Në centralin e ndodhur në Flamanville janë dy reaktorë bërthamorë në gjendje pune dhe një i tretë po ndërtohet.

Shkaku i shpërthimit nuk është ende i ditur, ndërsa një prej reaktorëve, ai më pranë vendit të incidentit, u fik si masë paraprake.

Sipas medieve franceze, shpërthimi ndodhi në një sallë makinerish. E ndërsa autoritetet lokale dhe zyrtarë të centralit konfirmojnë se nuk ka asnjë rrezik bërthamor, incidenti do t’i japë më shumë argumente aktivistëve kundër armëve bërthamore, që kanë kundërshtuar shpesh rritjen e kapacitetit të centralit në Flamanville.

Për më tepër, në vitin 2015, në të njëjtin central u zbulua një defekt në mbulesën e çeliktë të bërthamës së reaktorit në ndërtim, arsye pse projekti është shumë mbrapa afateve.

Top Channel