OKB: Bilanc tragjik i viktimave civile në Afganistanin e 2016-s

06/02/2017 00:00

Numri i viktimave civile në Afganistan arriti rekorde të reja në vitin 2016, si pasojë e sulmeve të Shtetit Islamik, sulmeve ajrore që kanë shkaktuar më shumë vdekje që prej vitit 2009, si dhe si pasojë e predhave të pashpërthyera.

Sipas OKB-së, 3.498 civilë u vranë dhe 7.920 të tjerë u plagosën në Afganistan gjatë vitit 2016, një rritje me 3% nga një vit më parë. I dërguari i OKB-së për Afganistanin, Tadamichi Yamamoto, pasi bëri publik raportin tha se ishte i trishtuar për viktimat civile.

Mësohet se 61% e tyre janë vrarë nga grupet antiqeveritare si talebanët apo Shteti Islamik. Gjatë vitit 2016 u vu re një rritje me 10-fish e viktimave të Shtetit Islamik në Afganistan, i cili shpesh sulmon minoritetin shiit mysliman.

Përfaqësuesi i OKB-së, Yamamoto tha se ky organizëm dënon ashpër vrasjen me dashje të civilëve, akte që sipas tij kanë si qëllim të shtojnë konfliktin dhe të ndajnë shoqërinë afgane. OKB tha gjithashtu se sulmet ajrore të ushtrisë afgane dhe ato të Shteteve të Bashkuara rezultuan në një rritje prej 99% të numrit të viktimave civile, në krahasim me vitin 2015, duke arritur nivele që nuk shiheshin që prej vitit 2009.

Raporti i OKB-së thotë se viktimat mes fëmijëve në 2016-n u rritën me 24%, kryesisht për shkak të predhave të pashpërthyera, që në Afganistan gjenden kudo dhe që fëmijët e pafajshëm i hasin gjatë lojërave të tyre.

Top Channel