Goditja e parë për Trump. Apeli rrëzon kërkesën e administratës

05/02/2017 00:00

Gjykata e Apelit në SHBA i ka dhënë një “shuplakë” Donald Trumpit. Ajo rrëzoi kërkesen e apelimit të administrates “Trump” kundër vendimit të një gjykatësi në Seattle për të bllokuar urdhrin ekzekutiv, që ndalon hyrjen e shtetasve nga 7 vende me shumicë myslimane.

Vendimi, që i hap rrugën betejave gjyqësore që do të zgjasin për ditë me radhë, nënkupton se urdhri do të vazhdojë të jetë i pezulluar deri sa e gjithë çështja të jetë shqyrtuar.

Shtëpia e Bardhë dhe shtetet që sfidojnë dekretin kanë kohë deri të hënën për paraqitur më shumë argumente. Avokatët e shteteve kontestuese pretendojnë se masa është antikushtetuese, ndërsa për Departamentin e Drejtësisë, shtetet nuk kanë autoritetin të sfidojnë urdhrat ekzekutivë të presidentit Donald Trump, e as të drejtën për të vënë në dyshim gjykimin e tij lidhur me rreziqet qe i kanosen sigurise kombtare. Trump, sipas Departamentit të Drejtësisë, gëzon autoritetin e padiskutueshëm për të ndaluar të huajt të hyjnë në vend.

“Cili do të jetë fati i vendit tonë, kur një gjykatës mund të pezullojë një urdhër që synon garantimin e sigurisë së brendshme?”, komentoi presidenti amerikan në një postim në “Twitter”.

Sipas tij, gjykatësi po u hapte dyert terroristëve të mundshëm. Ndërkohë, gjatë orëve të fundit janë shtuar fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara, teksa shumë prej shtetasve në “listën e zezë” të Trumpit që zotërojnë një vizë duan të përfitojnë nga “dritarja e përkohshme” që iu ofroi gjykatësi federal.

Rreth 1.000 vullnetarë në Aeroportin “JFK” të Nju Jorkut po ndihmojnë emigrantët e prekur nga urdhri, duke u siguruar atyre avokatë, përkthyes e çdo gjë tjetër të nevojshme. Qindra njerëz protestuan kundër Donald Trumpit rreth Amerikës, e në qytete të ndryshme europiane.

Top Channel