“Përkeqësim i klimës së biznesit”/ Investitorët e huaj të shqetësuar për korrupsionin, informalitetin dhe stabilitetin fiskal Bankat shqiptare kanë fshirë 35 miliardë lekë, ose mbi 255 milionë euro kredi të këqija gjatë dy viteve të fundit. Shifra është bërë publike në programin e reformave ekonomike për periudhën 2017-2019, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë.
Sipas dokumentit, vetëm për periudhën janar-nëntor të vitit të kaluar, bankat tregtare fshinë 14 miliardë lekë kredi të humbura. Kjo shifër i shtohet 21 miliardë lekëve të tjera që u fshinë në vitin 2015.
Fshirja e kredive të këqija nuk nënkupton faljen e tyre. Bankat vazhdojnë t’i ndjekin ato njësoj si më parë, por thjesht nuk i pasqyrojnë në bilancet e tyre.
Prej vitesh me radhë bankat private në Shqipëri e kanë patur të ndaluar t’i fshijnë kreditë e këqija pasi nuk ka ekzistuar baza ligjore.
Por në janar të 2015-ës Banka e Shqipërisë miratoi një rregullore, që i detyron ato të fshijnë çdo kredi, që ka më shumë se tre vjet e klasifikuar si e humbur. Kjo masë është pjesë e planit kombëtar për uljen e kredive të këqija të bashkëfirmosur nga kryeministri Edi Rama dhe Guvernatori Gent Sejko.
Të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën deri tani, fshirja e huave të humbura, ka qenë një nga shkaqet kryesore për uljen e treguesit zyrtar të kredive me probleme, nga rreth 25 përqind që ishte në shtator të 2014-ës në 18.2 përqind në fund të vitit të kaluar.
Top Channel