Ministri i financave Arben Ahmetaj zbulon në Top Channel sesi do të funksionojë programi 1 miliardë euro i ndërtimit të veprave publike nga privatët.
“Në shumicën e rasteve skema do të bazohet në logjikën e ofertës së pakërkuar, ku sipërmarrja merr riskun e hartimit të fizibilitetit dhe pastaj patjetër të projektit dhe në momentin ku është paraqitur një studim fizibiliteti, automatikisht ai pronësohet nga shteti dhe tenderohet në një tender publik”, thotë ministri i Financave.
Qeveria ka përcaktuar një listë me 125 vepra që do të ndërtohen. Biznesi që harton fizibilitetin për një projekt merr bonus nga 1 deri në 10 përqind të pikëve në tender.
“Pasi të ketë një fitues, i cili domosdoshmërisht vjen pas një tenderi të hapur, do të ketë negocim të kostos së investimit dhe kostos së parasë dhe ajo që është më e rëndësishme, nuk cënohet borxhi publik, përkundrazi borxhi do ulet, pasi të pagesat që do paguhen për koncesionet do jenë më pak se 5 përqind e të ardhurave tatimore”, sqaron Ahmetaj.
Bizneset do t’i ndërtojnë veprat me fondet e tyre. Pas ndërtimit, buxheti do të paguajë më këste për një periudhë që shkon deri në 15 vjet. Por a është ky një borxh i fshehur?
“Kjo nuk është e vërtetë. përkundrazi është një disiplinim i atij 5 përqindëshit që buxheti mos të ketë presione për koncesione apo investime të tjera”, thotë Ahmetaj.
Por pse Qeveria nuk i ndërton vetë këto vepra me paratë buxhetit?
“Shteti nuk i ka ato para, ndërkohë që nevoja për këto shkolla dhe rrugë është emergjente”, përgjigjet ministri i Financave.
Bashkë me fondin e investimeve, që financohen nga buxheti, Qeveria synon të injektojë rreth 1 miliardë euro në vit në projekte publike për tre vitet e ardhshme. Sipas Ahmetajt, ky do të jetë një stimul i fortë për rritjen ekonomike.
“Në përllogaritjet tona paraprake rritja ekonomike shkon mbi 6 përqind”, thotë ai.
Top Channel