Zbatimi i reformës në drejtësi, në KED edhe Besnik Imeraj

27/01/2017 11:05

Reforma në Drejtësi nisi zbatimin me ngritjen e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Ky është një  institucion i ri kushtetues me 9 anëtarë nga trupa gjyqësore dhe e prokurorisë që, sipas rregullave të reja, përzgjidhen me short.

Por, përpara hedhjes së shortit, Partia Socialiste akuzoi Këshillin e Lartë të Drjetësisë për mungesë transparence në hartimin e listave, duke vlerësuar kriteret në mënyrë preferenciale.

“Në dijeninë tonë, të paktën nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë janë parashtruar pesë magjistratë”, tha deputetja Vasilika Hysi.

Megjithatë, ky moment u kalua pasi asnjë nga institucionet që hartojnë listat nuk i dha të drejtë Partisë Socialiste, përfshirë këtu edhe Kuvendin.

“As unë dhe as ne nuk jemi një gjykatë që interpreton ligjin”, u shpreh kreu i Kuvendit, Ilir Meta.

Hedhja e shortit, që u ndoq edhe nga përfaqësuesit e misioneve OPDAT dhe Euralius zgjati pak minuta, por surpriza e parë e zgjedhjes me short ishte gjyqtari kushtetues, Besnik Ymeraj, që votoi kundër ligjit të Vettingut.

Shorti u hodh vetëm për përfaqësuesit e gjyqësorit, sepse organi i akuzës kishte sjellë vetëm 3 kandidatë, aq sa vende duhet të merrte Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Apelit.

Sipas rregullave të reja, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka për detyrë të bëjë vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Megjithatë, ka ende një pengesë në rrugën e zbatimit të ligjit; Gjykata Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve është pjesë e ligjit për organet e qeverisjes së drejtësisë, të cilin Partia Demokratike e ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese.

Shorti, që u cilësua nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta si një moment i rëndësishëm i fillimit të reformës në drejtësi, dha këtë rezultat:

Anëtarët nga Gjykata Kushtetuese: Besnik Imeraj dhe Vladimir Kristo (Altina Xhoxhaj, anëtar zëvendësues). 

Anëtarët nga Gjykata e Lartë: Mirela Fana (Artan Zeneli, anëtar zëvendësues).

Anëtar nga Prokuroria e Përgjithshme: Rovena Gashi.

Anëtarët nga prokuroritë e Apelit: Gentian Trenova dhe Fatjona Memçaj.

Anëtarët e KLD-së nga Gjykatat e Apelit: Brikena Ukperaj Lubonja, Ervin Metalla.

Anëtar nga gjykatat administrative: Kastriot Selita (Gentian Medja, anëtar zëvendësues).

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA