Viti 2016, rekord shpenzimesh në merkaton e futbollistëve

27/01/2017 00:00

Viti 2016 ishte ai i rekordit të shpenzimeve në merkaton e transferimeve. Sipas një raporti të FIFA-s, klubet në total, vitin e kaluar bënë blerje me një shifër 14.3% më të lartë në krahasim me vitin 2015.

Shifra totale e shpenzuar nga klubet në mbarë botën në merkation e transferimeve është 3.8 miliardë paund dhe pjesën dominuese e kanë skuadrat europiane, me 82% të blerjeve.

Kampionati më aktiv në këtë aspekt është pikërisht Premier League, që pa të pasurohej me emra të tillë si Paul Pogba, për të cilin Manchester United pagoi 89 milionë paund, ndërkohë që patën kosto të lartë edhe lojtarë të tillë si Mkhytarian, Bailly, Granit Xhaka, John Stones etj.

Në total, shifra e shpenzuar nga klubet britanike ishte 1.03 miliard paund, shifër kjo që është 43% më e lartë nga ajo që kanë shpenzuar pjesa tjetër e skuadrave të kampionateve të tjera të Europës.

Por së fundmi, gjërat kanë ndryshuar dhe një trend i ri është krijuar në merkaton e transferimeve të futbollit, me Kinën që ka marrë rolin e protagonistes. Shumë prej emrave të rëndësishëm të futbollit europian dhe atij botëror preferuan të transferohen në Superligën kineze, për shkak të ofertave marramendëse që ata morën.

Në vitin 2016, klubet kineze shpenzuan 359.5 milionë paund, shifër kjo që është 2.5 herë më e lartë sesa ajo e vitit 2015, duke e pozicionuar Superligën në vendin e pestë përsa u përket blerjeve të kryera në merkaton e futbollit.

Top Channel