“Kam kujtime të hidhura nga Bayern”, Ancelotti: Penalltitë ndaj Cityt i pashë në përsëritje!

29/04/2024 22:04
Carlo Ancelotti

Carlo Ancelotti do të rikthehet në Mynih, këtë herë jo më si trajner i Bayern, por Realit të Madridit me dy skuadrat që përballen në gjysmëfinalen e Champions League.

Tekniku italian i Los Blancos, në konferencë theksoi se ka kujtime të hidhura nga Bayerni për shkak se u shkarkua nga detyra ndërsa zbuloi se ka parë në përsëritje penalltitë e ndeshjes ndaj Cityt, pasi nuk guxoi t’i shihte në fushë.

“Është emocionuese për mua të rikthehem në Gjermani përballë Bayernit. Kam kujtime të bukura, por edhe të hidhura njëkohësisht për shkak të shkarkimit. Por, ndeshja e së martës do të jetë një histori tjetër dhe mua më duhet të mendoj për të tashmen dhe jo për të kaluarën.
Si ka ndryshuar Reali në sulm? Largimi i Benzema ndryshoi paksa taktikat sepse tani skuadra është më shumë e lëvizshme dhe është e paparashikueshme. Nga ana tjetër, edhe Bayerni ka sulmues të mëdhenj, mjafton të përmendim Harry Kane. Përballen dy skuadra plot me lojtarë të mëdhenj dhe shumë histori.

A kam vendosur bast këtë sezon me Valverden? Jo, këtë vit nuk kemi vendosur bast. Valverde ka zhvilluar një sezon shumë të mirë, dhe ia ka dalë në të gjitha rolet që ka luajtur. Është një lojtar që më pëlqen shumë.

Ndeshja me Cityn? Kam riparë vetëm penalltitë pasi nga fusha nuk guxova t’i ndiqja”, u shpreh Ancelotti./ Supersport

Top Channel