Haradinaj: Paraqita fakte, serbët jo

13/01/2017 00:00

I liruar me kusht në Francë, Ramush Haradinaj shpjegoi në telefon për televizionin KTV se çfarë ndodhi në Gjykatën e Kolmarit.

“Ne kemi paraqitur qëndrimet tona për pavlefshmërinë e fletë-ndalimit dhe lirimit me kusht. Nuk u shqyrtua pavlefshmëria për shkak se pala serbe nuk ka paraqitur akoma argumentet veta, por u pranua kërkesa jonë për lirim me kusht. E dhashë mendimin tim se ky është një abuzim në emër të ligjit nga Serbia”, tha Haradinaj.

Fjalën e tij në gjykatë, ish-kreu i UÇK-së e ka mbajtur në frengjisht. Haradinaj shprehet i befasuar nga qëndrimi i Francës, sepse, siç pohon dhe vetë, ka udhëtuar edhe herë të tjera atje e në shumë vende të BE-së si Gjermania, Austria e Zvicra, por nuk është ndaluar asnjëherë.

“Më është shpjeguar se ka ndodhur një riaktivizim i veprimeve të INTERPOL-it me kërkesë të Serbisë”, shpjegon ai, ndërsa këmbëngul se bëhet fjalë për një mandat-arrest të vitit 2004, të mbështetur në argumente të cilat janë shqyrtuar tashmë nga Gjykata e Hagës.

Por, Beogradi vazhdon t’i mëshojë idesë së ekstradimit. Pas një mbledhjeje urgjente të qeverisë, ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, deklaroi se Franca e ka për detyrë ta dorëzojë liderin e AAK-së, kundër të cilit thotë se ka 30 dëshmitarë. 40 ditë ishte afati i dorëzimit të kërkesës së ekstradimit, është shprehur ajo, dhe ne e depozituam brenda vetëm 5 ditësh, bashkë me të gjitha dëshmitë, që organet franceze të drejtësisë të kenë mundësi veprimi.

Ajo sqaroi se Serbia nuk do të heqë dorë nga pretendimi i saj.

Top Channel