Avokatja e Haradinajt: E bindur në lirimin e plotë të tij

12/01/2017 00:00

Avokatja e Ramush Haradinajt, Rachel Lindon, lirimin me kusht të klientit të saj e quan vetëm hapin e parë drejt lirisë së plotë të ish-komandantit të UÇK-së.

Duke folur për agjencinë e lajmeve AFP pas verdiktit të gjykatës, Lindon shprehu bindjen se si urdhërarresti i Interpolit, ashtu edhe kërkesa për ekstradim e Serbisë do të rrëzohen.

“Ky është hapi i parë. Ishte një procedurë dhe hapi i dytë me siguri do të jetë vendimi për anulimin e urdhërarrestit të paligjshëm të Interpolit dhe bashkë me të edhe të kërkesës për ekstradim, e cila duhet të refuzohet”, tha ajo.

Ramush Haradinaj fitoi lirinë me kusht këtë të enjte. Sipas vendimit, ai duhet të paraqitet dy herë në javë tek autoritetet franceze dhe nuk duhet të largohet prej Francës.

Haradinaj u ndalua në ditët e para të këtij viti në bazë të një urdhërarresti serb, që e akuzon atë për krime lufte të kryera gjatë luftës në vitet 1998-1999 në zonën e Dukagjinit, për të cilat Beogradi pretendon se nuk është gjykuar në Hagë.

Top Channel