Kosovë, dorëhiqet ministrja serbe Mirjana Jevtiç

29/12/2016 00:00

Ministrja e Administrimit të Pushtetit Lokal, Mirjana Jevtiç ka inforumar gjatë kësaj të enjteje kryeministrin Isa Mustafa, për dorëheqjen e saj nga posti i dhënë nga kreu i ekzekutivit kosovar. Kjo gjë është konfirmuar nga kryetari i “Listës Serbe”, Slavko Simiç.

“Mirjana Jevtiç ka informuar në mesditë kryeministrin Isa Mustafa, se ka dhënë dorëheqjen nga posti i  ministres së Administrimit të Pushtetit Lokal. Për dorëheqjen e Jevtiç, edhe Lista Serbe e njoftoi kryeministrin”, ka thënë Simiç.

Largimi i ministres Jevtiç besohet se është vendosur pak ditë më parë, gjatë një takimi të deputetëve të “Listës Serbe” dhe kryeministrit serb Aleksandar Vuçiç.

“Në përputhje me kërkesën e kryeministrit Vuçiç, Mirjana Jevtiç do të largohet nga Ministria e Administrimit Pushtetit Lokal, për shkak se ajo – si një serbe e Kosovës, – respekton autoritetin dhe kërkesën e kryeministrin të Republikës së Serbisë dhe do të veprojë në përputhje me to”, thuhet në deklaratën e Simiç.

“Askush nuk ka bërë për më shumë për serbët në Kosovë sesa Aleksandar Vuçiç, ndërsa lufta e popullit serb në Kosovë e Metohi nuk është e mundur dhe nuk do të jetë e suksesshme, nëse për çfarëdo arsye nuk ka unitet dhe lidhje të ngushtë mes përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe kryeministri të Serbisë, Aleksandar Vuçiç”, thuhet më tej në deklaratën e kreut të grupit parlamentar dhe kryetarit të “Listës Serbe”.

Top Channel