Konferenca e fundvitit, Mustafa: Demarkacioni? Opozita nuk e votoi për përfitime elektorale

28/12/2016 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në konferencën e fundvitit me gazetarët tha ndër të tjera se opozita nuk e ratifikoi marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi për përfitime elektorale. Mustafa u shpreh se sjellja e opozitës nuk ka qenë e duhura për politikbërësit në Kosovë, e sipas tij në të ardhmen duhet të ketë bashkëpunim mes shumicës dhe opozitës.

“Mosratifikimi i demarkacionit po ndodh për shkak të një kauze, që unë e konsideroj për përfitime elektorale”, u shpreh Mustafa.

Kryeministri kosovar tha se, nëse ka pasur devijime në pikën kufitare me Malin e Zi, atëherë do ta rishqyrtojnë marrëveshjen, po nëse jo, atëherë do të mbetet kjo marrëveshje që është nënshkruar.

Shefi i ekzekutivit të Kosovës tha se, shpreson që në fillim të 2017-s të arrijnë ta përmbushin edhe këtë kriter të mbetur për liberalizimin e vizave, në mënyrë që qytetarët të mund të lëvizin pa viza në vendet e zonës “Schengen”.

Kryeministri Mustafa ka shpalosur edhe qëndrimin sa i përket Listës Serbe. Ai tha se do të angazhohet që të kthehen në Kuvend sa më parë, por jo me çfarëdo kushti.

“Mariç është shkarkuar dhe ky vendim nuk kthehet më prapa”, tha Mustafa. “Nëse vajton për diçka, më e pakta është të vajtojë për Serbinë. Ne duhet të pranojmë një fakt, se kemi ende probleme me veriun e vendit. Duhet të bëjmë përpjekje që çdo zgjidhje ta bëjmë përmes ligjit. Jam shumë i vendosur që si pikënisje timen të kem zbatimin e ligjit dhe zgjidhjen e këtyre probleme ta bëjmë me mbështetjen e faktorit ndërkombëtar”, tha Mustafa.

Kryeministri u shpreh se pozicionimi i qeverisë në Beograd është destruktiv dhe i papranueshëm. Ai tha se do t’ua bëjë me dije Bashkimit Europian sjelljet e Serbisë karshi Kosovës.

Ndërkohë, një reagim për çështjen e demarkacionit ka ardhur nga shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Glauk Konjufcës, edhe po të kalonte demarkacioni nuk do të kishte liberalizim vizash për kosovarët. Konjufca ka thënë se kriteri kryesor i vënë nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave për Kosovën është lufta ndaj korrupsionit në nivelet e larta dhe ndaj krimit të organizuar.

“Unë jam i bindur se, edhe nesër po të ndodhte ratifikimi i demarkacionit, nuk do të kishim liberalizim vizash. Për liberalizimin janë dy kritere kryesore, njëri prej më të rëndësishmëve është lufta kundër korrupsionit. Në raportin e progresit vlerësohet se, në Kosovë nuk ka vendime të prera të gjykatave për ndëshkimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Pra, figurat më të larta institucionale, të cilët janë të përfshirë në korrupsion janë në procese gjyqësore, por lirohen gjithmonë për shkak të ndikimeve politike”, tha ai.

Top Channel