“Fiks Fare”/ Lezhë, 40 pacientë të dializës pa transport

27/12/2016 00:00

Pacientët e dializës në Lezhë përshkojnë një herë në dy ditë dhjetëra kilometra për të marrë shërbimin. Që prej fillimit të muajit nëntor, 42 pacientëve iu është hequr transporti, duke i detyruar të shkojnë në spital me makina të rastit, motorë apo në këmbë.

Prej datës 1 tetor 2016, për herë të parë në Spitalin Rajonal të Lezhës ofrohet shërbimi i hemodializës, një shërbim jetik për rreth 40 pacientë, të cilët udhëtonin drejt spitalit të Tiranës apo Shkodrës tre herë në javë, për të kryer hemodializën. Qendra e re e hemodializës, është investim prej 500 mijë dollarësh i partneritetit publik-privat.

Edhe pse të kënaqur që tashmë ky shërbim kryhet në Spitalin e Lezhës, përsëri problemet e pacientëve nuk mbarojnë. Në emisionin “Fiks Fare” mbërritën disa ankesa nga këta pacientë për heqjen e transportit. Pacientët nga qyteti, por edhe nga rrethinat, tashmë janë të detyruar të shkojnë vetë të marrin këtë shërbim e më pas, me mjete rrethanore, të kthehen në shtëpi. Itinerari që përsëritet çdo dy ditë, është jo vetëm i lodhshëm por edhe i kushtueshëm.

“Për shërbimin nuk ankohemi. Është i rregullt e në ambiente të mira. Por transporti është për ne problem shumë i madh. Nuk kemi mjaftueshëm të ardhura që të përballojmë taksitë, pasi transporti publik nuk e mbulon të gjithë qytetin, ndërsa për ne që banojmë në rrethina as që bëhet fjalë, ndaj e gjithë familja është në shërbimin tonë” ankohen pacientët.

Ekipi i “Fiks Fare” shkoi në Spitalin e Lezhës për të parë këta pacientë. Shumë prej tyre, të moshuar, detyrohen të udhëtojnë me mjete të ndryshme, ku nuk përjashtohen as motorët edhe pse tërësisht të papërshtatshëm për gjendjen e tyre shëndetësore. Në të tjera raste ka nga ata që tregojnë rrugëtimin e tyre 8 km në këmbë në mungesë të automjeteve.

“Fiks Fare” u interesua pranë Bashkisë Lezhë për këtë problem. Përgjegjësi i zyrës së transportit, Ernest Marku, shpjegoi se nuk është në dijeni të vuajtjeve të pacientëve, pasi në zyrat e bashkisë nuk është bërë asnjë ankesë për këtë problem. Megjithatë pranon mungesën e mbulimit të plotë të qytetit dhe rrethinave të tij me mjete të transportit publik.

Fiksi pyeti edhe një përfaqësues të spitalit rajonal në Lezhë. Tonin Bushi, shef i financës, pranon vuajtjet e pacientëve për shkak se mungon transporti, shërbim i cili për një muaj u krye nga spitali.

“Shqetësimi i pacientëve është i drejtë. Ka rreth një muaj që është hequr transporti që sigurohej nga spitali. Pasi në kontratë ishte transport ndërqytetës, pra pacientët e Lezhës shkonin në Tiranë ose në Shkodër. Spitali i ka bërë kërkesë Ministrisë së Shëndetësisë që të rivendoset shërbimi i transportit. Jemi në pritje”, përfundon ai.

Top Channel